23.7 C
Pristina
E enjte, 26 Shtator, 2024

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, kërkoi që Kosova të punojë më shumë në aspiratat e saj

Përgatiti: Fatlum Jashari

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë mesazhin se, të vetmuar, nuk kanë fuqi të anëtarësojnë Kosovën në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Për këtë, ambasadori në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kërkoi që edhe Kosova të bëjë pjesën e saj, duke u angazhuar dhe bashkëpunuar më ngushtë me organizatat ku dëshiron të jetë dhe shtetet anëtare, veçmas ato jo-njohëse.

“Ne do të kërkonim që Kosova të integrohet më plotësisht tani në institucionet evropiane dhe ato euro-atlantike. Serbia do të ishte pajtuar më shumë me realitetin e një fqinjësie sovrane, të pavarur, multietnike, demokratike dhe paqësore. Kjo është ajo që duam. Por, nuk e di se si bëhesh anëtar i BE-së pa bashkërendim me BE-në. Dhe kjo nënkupton bashkërendim me shtetet anëtare të BE-së. Nuk shoh se si bëhesh anëtar i plotë i NATO-s pa pëlqimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Siç e dini të gjithë, disa nga ato shtete ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht realitetin e një Kosove sovrane, të pavarur, demokratike, multietnike siç e kemi pranuar ne. Ju duhet t’i bindni ata që doni të ndihmoni”, deklaroi Hovenier.

Në këtë kontekst, ambasadori përdori edhe një mesazh frymëzuar nga familja e tij.

“Gjyshi im e përdorte një thënie, dhe ju lutem më falni për karakterin e saj paksa të pagdhendur: Nëse doni të hyni në një klub, mos urinoni para derës së tij. Poenta ime është që ne duam ta mbështesim Kosovën në integrimin e saj evropian dhe euro-atlantik. Ne kemi bërë shumë për ta çuar përpara këtë çështje, presidentë, sekretarë shteti, ambasadorë. Aspiratat e popullit të Kosovës për ta arritur këtë janë legjitime. Ne duam të ndihmojmë. Presim që secila qeveri e Kosovës të na japë argumentet më të mira, municionet më të mira në këtë bisedë, sa më shumë që do të mund të tregonim, një demokraci sovrane, multientike, prosperuese dhe një demokraci e suksesshme, aq më e lehtë do të ishte për ne të ndihmojmë”, shtoi tutje ai.

Në kuadër të Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci, ambasadori gjerman Jorn Rohde, tha se në rrugën drejt BE-së, për Kosovën dhe Serbinë, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut.

“Për të marrë kapitullin e zgjerimit, dhe e them vazhdimisht, Kosova duhet të jetë aktive në këtë çështje të Asociacionit, sepse është një rrugë e qartë për të integruar edhe pakicën serbe të Kosovës dhe gjithashtu për të treguar se kjo marrëveshje është gjallë. Ndryshe, BE-ja mbetet e pakapshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. E dini, ju nuk mund t’i bindni anëtarët nëse nuk mund të arrini minimumin. Dhe, nëse BE-ja nuk zgjerohet në Ballkanin Perëndimor, njerëzit e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të lëvizin drejt BE-së.”, tha ambasadori Rohde.

Në vlerësimin e shefit të ri të BE-së në Kosovë, Aivo Orav, dialogu mbetet çelës absolut në rrugën drejt integrimit në bllokun evropian.

Ai shtoi se pas shumë vitesh, BE-ja e ka më seriozisht se kurrë çështjen e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor./atvlive.tv/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

Alshari, roboti i parë DJ në Ballkan

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA