Alshari, roboti i parë DJ në Ballkan

Roboti humanoid, i quajtur Alshar, e argëtoi publikun në një klub nate në Ohër, dhe është vepër e dr. Anis Sefidanis. “Roboti bazohet në arritjet më të fundit të Inteligjencës Artificiale, e zgjedh vetë muzikën dhe gjithashtu aty për aty mund të gjenerojë kompozime krejtësisht të reja”, ka thënë Sefidanis. “Është roboti i parë i tillë në Ballkan, ndoshta edhe më gjerë”
“Zonja dhe zotërinj, sonte do t’ju argëtojë me muzikë DJ ynë e ri, Alshar”.

Ky nuk do të ishte një njoftim i pazakontë sikur prapa pultit të miksetës në një klub nate në Maqedoninë e Veriut të mos ishte roboti në vend të njeriut.

Roboti humanoid, i quajtur Alshar, argëtoi publikun në një klub nate në Ohër dhe është vepër e dr. Anis Sefidanis, profesor në Fakultetin e Teknologjive të Aplikuara të Informacionit, Makinerisë dhe Robotikës në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë “Shën Pali” po në këtë qytet.

“Roboti bazohet në arritjet më të fundit të Inteligjencës Artificiale, e zgjedh vetë muzikën dhe gjithashtu aty për aty mund të gjenerojë kompozime krejtësisht të reja”, ka thënë Sefidanis. “Është roboti i parë i tillë në Ballkan, ndoshta edhe më gjerë”.

Sefidanis, i lindur në vitin 1983 në Ohër, ka vite që mendon për aplikimin praktik të robotëve.

“Shumë shpesh, nuk është e nevojshme që roboti të ketë një formë njerëzore – është e rëndësishme që ai të kryejë një detyrë, për shembull, të bëjë kafe. Megjithatë, klubet e natës janë vende ku komunikimi midis DJ-it dhe audiencës është i rëndësishëm, ndaj mendova se ishte vendi i duhur për këtë lloj eksperimenti”, ka thënë ky shkencëtar. Kësisoj, i lindi ideja për krijimin e një roboti që do të kishte aplikim në kulturë dhe në industrinë e argëtimit.

Debutimi i Alsharit në klubin e Ohrit “Rebel” sipas tij “ka qenë i shkëlqyeshëm”.

“Publiku e priti shumë mirë, nuk e dija se çfarë të prisja dhe më vjen mirë që pati një pritje të tillë. Gjithë natën jam marrë me aspekte teknike dhe se si do t’i ekzekutonte komandat”, ka thënë ai.
Alshari, i cili e ka marrë emrin sipas një miniere në Maqedoninë e Veriut, “mund të interpretojë emocionet njerëzore me ndihmën e Inteligjencës Artificiale”, ka thënë krijuesi i robotit.

Ka një kamerë në gjoks, e cila i lejon të “lexojë” shprehjet e fytyrës dhe në këtë mënyrë t’i përshtatet atmosferës, ashtu siç bëjnë njerëzit që luajnë muzikë.

“Pra, mund të thuhet se roboti komunikon me audiencën”, ka nënvizuar ai. Por përveçse të luajë muzikën ekzistuese njësoj sikurse njeriu, ai është në gjendje të krijojë “vepra origjinale”.

“Është muzikë e gjeneruar nga kompjuteri, e cila krijohet aty për aty dhe gjithashtu mund të ribëjë muzikën ekzistuese dhe ta përshtatë me zhanre të tjera”, ka shpjeguar Sefidanis.

Përveç kësaj, sipas Sefidanisit, Alshari mund të numërojë audiencën, të përcaktojë përqindjen e burrave dhe grave, si dhe moshën e tyre të përafërt, si dhe të njohë gjuhët në të cilat flasin.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA