Përgatiti: Armand Hoti
Komuna e Gjilanit është e vetmja që ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin 2025.
Derisa afati i fundit për ta bërë këtë është data 1 mars, të enjten për të gjetur një zgjidhje kryetari i komunës, Alban Hyseni, u takua me liderët opozitar.
Kryetari i degës së LDK-së në këtë qytet, Lutfi Hazri, thotë se grupi më i madh i asamblistëve ka vota pro buxhetit, mirëpo duhet të respektohen procedurat ligjore.
“LDK-ja sot konfirmoj nevojën që buxheti të zbatohet sipas ligjit, sipas udhëzimeve që ministri Elbert Krasniqi i ka lëshuar më 18 tetor të vitit të kaluar”, tha Hazri.
Edhe kryetari i degës së PDK-së, Riad Rashiti, thotë se ka përparime për këtë çështje.
“Nuk duam të jemi e vetmja komunë në Kosovë që nuk kemi miratim të buxhetit…për ne është e pakuptimt që kryetari kërkon kohë shtesë për konsulta me subjektin e vet politik”, tha Rashiti.
Nevojën për konsultime me partinë, e arsyeton kryetari i komunës, Alban Hyseni.
“Konsideroj dhe besoj që një pjesë e kërkesave për të mos thënë të gjitha, tingëllojnë të arsyeshme… Praktika jonë e brendshme në LVV si organizatë, është që vendimet merren në organet tona udhëheqëse dhe drejtuese”, tha Hyseni.
Kryetari thotë se do t’i njoftojë opozitarët të premten, lidhur me hapat e radhës.
Në nëntor, kryetari Hyseni, pat kërkuar në Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal shpërbërjen e Kuvendit, pikërisht për shkak të mos-miratimit të buxhetit. Por, kjo kërkesë qe refuzuar.