Përgatiti: Nora Luta
I dënuar me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, Enver Sekiraqa vazhdon të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë.
Kur ka kaluar një muaj nga shpallja e vendimit, aktgjykimi i përpiluar në formë të shkruar, ende nuk u është dorëzuar palëve.
Këtë aktgjykim, sipas Kodit të Procedurës Penale, duhet ta hartojë kryetari i trupit gjykues, brenda 15 ditëve, në rastet kur i dënuari ndodhet në paraburgim, ndërsa deri në një muaj kur nuk ka masë sigurie ndaj të pandehurit.
Kodi lejon edhe afatin prej 60 ditësh kur rasti konsiderohet i ndërlikuar.
Por, aktgjykimin në këtë rast nuk do ta shkruajë kryetar i trupit gjykues Agim Kuqi, pasi ai u suspendua nga Këshilli Gjyqësor dhe po hetohet, pasi ia ndërpreu masën e arrestit shtëpiak Sekiraqës.
Gjykata e Prishtinës nuk është përgjigjur në pyetjet, se cilin nga anëtarët e trupit gjykues e ka autorizuar kryetarja, por shkurt tregoi se aktgjykimi është në fazën e përpilimit.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Aktgjykimi në çështjen penale për të akuzuarin E.S. gjendet në fazën e përpilimit dhe palët në procedurë së shpejti do ta pranojnë aktgjykimin në formë të shkruar”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Juristë e monitorues të sistemit të drejtësisë thonë se çdo vonesë në përpilimin e aktgjykimit përbën shkelje të të drejtave të palëve në procedurë.
“Konsideroj që përpilimi i aktgjykimit është shumë i rëndësishëm pasi që në këtë formë, palët duhet të vijnë sa më parë tek e drejta që të ushtrojnë ankesë. Vonesat do të përbënin shkelje të të drejtave të palëve në procedurë”, tha Arbër Jashari, avokat.
“Me rastin e suspendimit, praktika dhe rregulloret flasin që kryetarja e autorizon anëtarin e dytë të trupit gjykues ta përpilojë aktgjykimin. Varësisht prej lëndës mund të kërkojë afat shtesë për përpilimin e aktgjykimit”, tha Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Dy javë pas vendimit të shkallës së parë, Apeli e ndryshoi vendimin rreth masës së sigurisë, duke e kthyer Sekiraqën në paraburgim.
Vendimin e Apelit e vërtetoi edhe Supremja.






