Përgatiti: Arian Hajdaraj
Këtu në parkun e qytetit, njësiti antidrogë zhvilloi operacionin “Freeshopi” në mbrëmjen e së premtes.
Cak i kishin disa persona që dyshoheshin që po bënin tregti me narkotikë, por përfunduan duke e arrestuar edhe një koleg të tyre polic që ishte jashtë detyrës zyrtare.
Pas arrestimit, janë bastisur edhe shtëpitë e të dyshuarve, ku janë gjetur 370 gramë lëndë narkotike, një peshore, tri thika dhe para të gatshme në vlerë prej afro 5000 euro.
Kështu, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka filluar hetimet, teksa ka kërkuar edhe caktimin e masës së sigurisë prej 30 ditësh paraburgim.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndaluar tre personat e dyshuar për 48 orë, ku një nga të dyshuarit ka rezultuar të jetë zyrtar policor. Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike”, thuhet në përgjigjen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Sa i përket zyrtarit policor, hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me inspektoratin policor.
“Me të pranuar informacionin, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e IPK-së. Si pjesë e procedurave, ai është suspenduar”, thuhet në përgjigjen nga IPK.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë, do të mbahet paraditen e së mërkurës.