Aksidente në vend të punës, “Trepça” pa kompani për sigurime

Përgatiti: Armand Hoti

Flotacioni në Tunelin e Parë është gati për stinën e dimrit.

Por, parapërgatitjet për ditët e ftohta në flotacion, i kushtuan punëtorit Faruk Peci. Ai theu këmbën e djathtë derisa po merrej me punime.

“Tu i rregullu disa nxemëse për t’u përgatitur për dimër, dhe duke e mbajtur atë nxemëse, për moment te shkallët më rrëshqiti këmba, e pata nxemësen në gjoks, rrëshqita dhe e zura këmbën e djathë keq”, tha Peci.

Në mungesë të një sigurimi për aksidente në vend të punës, Faruk Peci nuk ka marrë asnjë kompensim për lëndimin që mori në flotacion.

“Duhet me kërku se më takon, jam lënduar në vend të punës”, tha Peci.

‘’Trepça’’, aktualisht nuk ka kontratë me asnjë kompani të sigurimeve që do t’i mbulonte shpenzimet për punëtorët e aksidentuar.

Kontrata e fundit që pati me një kompani sigurimesh, i skadoi më 12 shtator të këtij viti.

Nga kjo datë, sipas të dhënave të ‘’Trepçës’’, gjashtë punëtorë të sipërfaqes e të nëntokës, në dy njësi të ndërmarrjes, kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme.

Nga komunikimet e ATV-së me punëtorët, ashtu si Faruku, as të tjerët ende nuk kanë marrë ndonjë kompensim.

Ndërkaq, ATV-ja ka siguruar kontratën e ‘’Trepçës’’, me kompaninë e sigurimeve.

65 mijë euro qe vlera që ndërmarrja i detyrohej kompanisë ofertuese, ndërsa, Trepça nuk ka realizuar as gjysmën e kësaj pagese.

Përmes telefonit, kompania e sigurimeve ka konfirmuar për ATV-në, që si rezultat i mospagesës, ndaj ‘’Trepçës’’ është iniciuar procedurë përmbarimore.

Po ashtu, televizioni mëson se ndërmarrja është në procedurë përmbarimore edhe me një kompani tjetër të sigurimeve, ndaj të cilës, po ashtu, për vite me radhë, nuk i ka përmbushur obligimet kontraktuale.

Vlera e shumës që ndërmarrja i detyrohet kompanisë tjetër është diku rreth 100 mijë euro.

Ndërkaq, zyrtari i prokurimit në ‘’Trepçë’’, bëri të ditur për ATV-në se në muajt e fundit, ndërmarrja ka shpallur disa tenderë, por nuk kishte asnjë kompani ofertuese të sigurimeve.

Lidhur me këto problematika, ndërmarrja nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së.

Legjislacioni në fuqi përcakton se punëdhënësi është i detyruar t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për kurimin e të punësuarit që ka pësuar lëndim në punë, nëse nuk i ka siguruar në ndonjë kompani të sigurimeve.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA