AC Milan ka arkëtuar tri pikë shumë të rëndësishme në kuadër të javës së 37-të në Serie A, pasi triumfoi ndaj Genoas me rezultat 1-2.
“Rossonerët”, që po kalonin një periudhë të vështirë rezultatesh, reaguan në momentin më të rëndësishëm të sezonit dhe mbetën në garë për sigurimin e një vendi në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.
Genoa ishte skuadra më e rrezikshme në pjesën e parë, duke krijuar disa raste të mira shënimi, por vendasit nuk arritën t’i konkretizonin ato para portës së Milanit.
Skuadra mysafire kaloi në epërsi në minutën e 50-të falë Christopher Nkunku, i cili realizoi saktë nga pika e bardhë për rezultatin 0-1.
Milani vazhdoi të kontrollonte lojën edhe në vazhdim, ndërsa goli i qetësisë erdhi në minutën e 81-të. Pas asistimit të Athekame, Christian Pulisic shënoi nga afërsia për ta dyfishuar epërsinë e “Rossonerëve”.
Genoa arriti vetëm ta ngushtojë rezultatin në fund të takimit me golin e Johan Vásquez në minutën e 87-të, por pa arritur të shmangte humbjen.
Me këtë fitore, Milani shkon në kuotën e 70 pikëve dhe mban gjallë shpresat për kualifikim në Ligën e Kampionëve, ndërsa vazhdon garën e ngushtë me skuadrat rivale në tabelë.





