Reformë për politikëbërjen dhe dokument kryesor orientues karshi rinisë po cilësohet të jetë strategjia shtetërore për rini, për vitet 2024-2032.
Gjatë prezantimit të procesit hartues si dhe planit të veprimit për 2 vjet, kryeministri Albin Kurti tha se në qendër do të jetë i riu.
“Strategjia shtetërore për rini do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë karshi rinisë, ku secila ministri dhe institucion pritet ta përcaktojë rolin e vet. Përveçse është strategji e cila na orienton drejt zhvillimit, do të jetë edhe një mjet reforme për politikëbërjen ndërsektoriale karshi rinisë. Në të kaluarën kemi pasur planifikim dhe zbatim të fragmentuar, e zaten kur ka pak planifikim, zbatimi është i fragmentuar, i pakonsoliduar dhe shpesh kontradiktor”, tha Kurti.
Në prezantimin e procesit hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini kryeministri tha se planifikimi i së ardhmes po bëhet me të rinjtë. Strategjia për Rini është bërë në bashkëpunim me zyrën e OKB-së në Kosovë.
“Kam përshtypje shumë të mira për këtë dokument dhe gjithashtu se si e keni artikuluar këtë në mënyrë shumë konstruktive, për zgjidhje për situatën e të rinjve që janë në Kosovë, nevojat e tyre dhe shpresat e tyre”, tha koordinatorja e UNKT-së, Arnhild Spence.
Strategjia shtetërore për rini ka për synim përmirësimin e situatës së të rinjve të grupmoshave 15-24 vjeç.
Strategjia, mes tjerash, synon edhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet organizatave rinore, si dhe ndërmjet organizmave qendrorë dhe atyre komunalë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: