Liderë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të disa vendeve të Perëndimit, do të mblidhen të hënën në kryeqytetin gjerman, me ftesë të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scolz, për t’i diskutuar objektivat e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.
Shkurt për Procesin e Berlinit
Organizohet prej vitit 2014, me iniciativë të kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, pas një pauze të vendosur nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në proces të zgjerimit të bllokut evropian.
Procesi i Berlinit nuk e ka një strukturë fikse, pra nuk e ka një mekanizëm qendror koordinues, dhe mbahet në vende të ndryshme.
Ndër vite, takimet janë mbajtur në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan.
Nuk ka as mekanizëm ndëshkues.
Përveç Qeverive të vendeve të Ballkanit – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në takimet e Procesit të Berlinit marrin pjesë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale.
Ai është zgjeruar ndër vite, dhe derisa të mbahet samiti kryesor, sikurse ky i 14 tetorit, përgjatë vitit mbahen edhe një mori takimesh në nivele ministrore, si dhe shumë evente anësore me fokus në fushën digjitale, biznesore, të rinjtë, shoqërinë civile, çështjet gjinore dhe konferencat shkencore.
Në faqen zyrtare të platformës thuhet se “Procesi i Berlinit i ndihmon Ballkanit Perëndimor dhe banorëve të saj të jenë më të afërt me njëri-tjetrin”.
Por, sa është arritur ky objektiv?
E vërtetë që takimet e liderëve të Ballkanit janë bërë të shpeshta dhe fotografitë e tyre të përbashkëta janë kthyer në diçka normale.
Megjithatë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë konsideruar me raste pengesë në zbatim të disa marrëveshjeve.
Njëjtë, edhe mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Bosnje e Hercegovinës, ka penguar marrëveshje tjera. Njëra prej tyre është ajo për lëvizje të lirë.
Banorët e dy vendeve vazhdojnë të pajisjen me viza nëse duan të vizitojnë njëri-tjetrin.
Synimet kryesore
Përveç përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, synim tjetër i Procesit të Berlinit është edhe rritja e bashkëpunimit të Ballkanit me BE-në, në mënyrë që rajoni të ketë standarde evropiane, dhe që banorët e Ballkanit të shohin rezultate konkrete.
Nisma është e fokusuar në zhvillim ekonomik, siguri energjetike, agjendë të gjelbër, partneritet për klimën, rritjen e lidhjeve në rajon përmes projekteve infrastrukturore dhe përfshirjen e e plotë të komuniteteve në procese shoqërore.
Ndër marrëveshjet më me nam janë ato për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe ajo që njihet si ‘Agjenda e Lishshmërisë” për përshpejtim të rritjes ekonomike dhe krijim të vendeve të punës përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.
Asnjëra prej tyre nuk është zbatuar pikë për pikë.
Çfarë është arritur ndër vite?
Marrëveshja për “roaming” apo heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin, ka hyrë në fuqi në vitin 2023.
Çfarë pritet nga takimi i 14 tetorit?
Njohësit e çështjeve politike kanë përmendur lansimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal 2.
Rruga për arritje të marrëveshjes është zhbllokuar pasi Kosova ka hequr ditë më parë një ndalesë në mallrat prej Serbisë, në pikëkalimin në Merdare.
Zyrtarët gjermanë në veçanti i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Kosovës që të hiqte atë masë, me argumentin se po shkelte Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), dhe se po rrezikonte pjesëmarrjen në nismat rajonale.
Masat kufizuese u vendosën në qershor të vitit 2023, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga autoritetet serbe. Zyrtarët policorë u liruan ndërkohë, por masa mbeti në fuqi.
Zyrtarët evropianë përmendin vazhdimisht nevojën e kryerjes së reformave të nevojshme nga vendet e Ballkanit, në mënyrë që rajoni të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe Rusia të mos ketë asnjë mundësi për destabilizim as të këtij rajoni, por as të BE-së përmes tij.
Aktualisht vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar zyrtarisht për t’u bërë anëtare, në dhjetor të vitit 2022./REL/