Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se tani kjo situata siç e quan ajo, ‘e ngrirë’, mund të dëmtojë përparimin e arritur.
“Stabiliteti është i rëndësishëm, në kuptimin që nuk duhet pasur elemente të armatosura që i provokojnë njerëzit në çfarëdo mënyre. Unë mendoj se është një kohë shumë delikate ku një situatë e ngrirë mund të “shkrihet” në mënyra që mund të dëmtojnë përparimin e arritur”, tha Power.
Ajo tha se serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione sepse kjo, sipas saj, do t’ua përmirësonte jetën qytetarëve, do t’i përmirësonte shërbimet, do të përmirësonte ndjenjën e të qenit të përfaqësuar.
Power thotë se ngecja e progresit politik është vetvetiu destabilizuese.
“Kur të kthehem në SHBA dhe të takoj liderë të biznesit të mund t’u them se Kosova është një vend i hapur për biznes, shikoni se çfarë reformash kanë bërë, shikoni ankandin për energji diellore që sapo e shpallëm. Pra, është me rëndësi që të ruhet stabiliteti gjatë kohës që po përpiqemi të arrijmë progres politik, por ngecja e progresit politik është vetvetiu destabilizuese”, tha Power. /atvlive.tv
Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: