6.3 C
Pristina
Sunday, February 8, 2026

Gazetari Krasniqi jep detaje interesante të kohës së arrestimit të Bacit Jakup

Gazetari Valdrin Krasniqi ka dhënë detaje nga dita kur katër vjet më parë forcat speciale të EULEX-it, me urdhër të ZPS-së arrestuan zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin.

Ai thotë se vajza e Bacit Jakup, Gresa, e ka telefonuar në 7 të mengjesit, të 4 nëntorit 2020 për t’ia kumtuar lajmin se babai i saj po arrestohet për tu dërguar në Hagë.

Krasniqi thotë se pjesëtarët e EULEX-it ishin befasuar kur e kishin parë atë menjëherë në vendin e ngjarjes, të cilët me shpejtësi mbyllen dyert e hekurta të oborrit të tij, për t’i pamundësuar atij të realizojë fotografi.

Postimi i plotë i gazetarit Krasniqi:

Ishte ora 7 e mëngjesit, e 4 nëntorit 2020.

Telefoni im po cingeronte dhe pash se ishte Gresa, vajza e Bacit Jakup. Zëri i saj ishte i ngarkuar, teksa më tregonte se EULEX-i kishte hyrë në shtëpinë e tyre për të arrestuar babanë e saj – zërin e UÇK-së. Nuk mendova dy herë. Me vrap shkova drejt shtëpisë së tyre dhe sapo mbërrita, pashë oborrin e mbushur me policë të huaj të maskuar, duke rrethuar atë vend që gjithmonë ishte simbol i lirisë dhe krenarisë.

Si gazetar, instinktivisht kapa aparatin për të fotografuar atë moment të rëndë. Por EULEX-i veproi menjëherë. Ata mbyllën dyert e hekurta, duke mos lejuar askënd të shihte atë që po ndodhte brenda. Ishte një moment që nuk mund ta harroj kurrë – një moment ku padrejtësia ndihej aq e prekshme, ndërsa ne ishim të pafuqishëm përballë saj.

Sot, katër vjet më vonë, të njëjtët xhipa të EULEX-it u parkuan sërish në vendin e njëjtë. Por kësaj here, nuk ishin aty për të marrë Bacin Jakup.

E kishin sjellë atë për një vizitë të shkurtër në shtëpi, që të vendoste një buqetë lulesh mbi varrin e vëllait të tij, Azemit, të cilin nuk e kishte parë për katër vjet. Azemi ndërroi jetë të shtunën dhe Baci Jakup nuk kishte pasur mundësinë t’i jepte lamtumirën e fundit. Për shkak të procesit në Hagë, Baci Jakup nuk ishte aty as për dasmën e djalit të tij të vetëm, Altinit, i cili tashmë është bërë baba.

Nuk mundi të ishte as në dasmën e vajzës së tij, Gresës, e cila po ashtu është bërë nënë.

Dhimbja për të gjitha këto momente të humbura është e pamasë, por Baci Jakup mbetet i fortë, siç ka thënë gjithmonë: “Njeriu është më i fortë se guri.” Sot, ne e përshëndesim Bacin Jakup me shpresën që së shpejti ta shohim përsëri në Kosovë, në atë tokë për të cilën ai dha gjithë jetën e tij. Jeta vazhdon, por historia e tij është një testament i sakrificës dhe forcës njerëzore. Te presim shpejt, Bac, në vendin tënd të dashur.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA