Në Kosovë, dhuna ndaj fëmijëve, qoftë fizike apo psikologjike, vazhdon të konsiderohet si një normë disiplinuese.
Sipas studimeve të fundit nga UNICEF, përdorimi i dhunës si mjet disiplinimi mbetet një praktikë e zakonshme në shumë familje dhe shkolla, pavarësisht pasojave të rënda që ajo sjell.
Ekspertët e psikologjisë dhe zhvillimit të fëmijëve paralajmërojnë se dhuna, në çdo formë të saj, shkakton dëmtime të thella zhvillimore. Kjo temë u diskutua në emisionin “Libero”, ku profesionistë të fushës theksuan nevojën për një qasje më të shëndetshme në edukimin e fëmijëve.
Psikologia Ibelinda Halili rekomandon alternativa që promovojnë disiplinën pozitive dhe ndihmojnë në ndërtimin e një marrëdhënie të shëndetshme mes prindërëve dhe fëmijëve.
“Gjuha komunikuese ndaj fëmijëve shpeshherë është e gabuar. Prindërit kanë tendencë të përdorin fjalë të papërshtatshme, duke e harmonizuar kështu këtë lloj komunikimi brenda familjes dhe duke e çuar në bullizëm social jashtë saj. Kjo cënon autoritetin dhe identitetin e fëmijës,” u shpreh ajo.
Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së standardeve të komunikimit dhe ndërtimit të një mjedisi pozitiv, pa dhunë.
Studimet tregojnë se abuzimi dhe neglizhenca ndikojnë negativisht në zhvillimin emocional, funksionimin social dhe performancën akademike të fëmijëve, duke çuar në sjellje problematike gjatë jetës.
Për këtë situatë konsiderohet se duhet një vëmendje e menjëhershme për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve.
Për më shumë rreth aspekteve të dhunës ndaj fëmijëve nga perspektiva psikologjike, ndiqni linkun e plotë të emisionit: