Kushdo që ia ka ndryshu tekstin këngës Oj Kosovë, oj nana ime, s’ka bërë mirë hiç! Nuk po besoni – qe njeri:
“OJ KOSOVË OJ PRINDI IM 1”
Për më tepër kanë shku pisat ia kanë ndryshu tekstin edhe kësaj alamet kënge:
“PËR PRIND 1 DHENË”
Hajde më së pari të merremi vesh diçka. Dmth kjo punë është hajgare, po ju kallëzoj. Nuk mundet oj Kosovë oj nana ime me u zëvendësi me prindin 1, për mëmëdhenë prindi 1, e në krejt rrjetet sociale prindi 1 me qenë baba!
Koncentrohuni o talenta, a është nëna prindi 1 a 2, të dim’ ku jem’!
Ngjashëm si prindi 1 e 2, kur u aktualizua kjo temë, ishin dy opsione si të veprojmë:
Opsioni 1: mos me u marrë fare me një eksperiment të dështuar të një shkolle në Prishtinë, sepse ka tema tjera më interesante.
Opsioni 2: me hulumtu pak dhe me konstatu që nga ky eksperiment i shkollës nuk u distancua Komuna e Prishtinës, nuk u distancua Ministria e Arsimit, edhe pse paqt llafi po shihet që terminologjia e përdorur është joligjore dhe nuk reaguan as puritanët e shoqërisë civile.
Nëse organet komunale dhe shtetërore nuk distancohen nga kjo terminologji dhe nëse nuk udhëzohen shkollat të përdorin emërtimet që i parasheh ligji, atëherë i bie që janë kah e përkrahin këtë eksperiment.
Deri këtu gjithçka është e qartë. Telashet fillojnë kur e konstatojmë që së paku 3 ministra të kabinetit aktual qeveritar e kanë shkelë ose e kanë shpërfillë kushtetutën.
Telashe ka më pas, kur e dimë që për disa shkelje të ligjit e kushtetutës ka dënime dhe sanksione, e për disa tjera nuk ka.
Dhe në fund telashe ka me shkurtpamësinë dhe mungesën e guximit të kësaj klase politike.
Tash për dallim nga politikanët që janë qyqarë, së paku një nga ata që kanë qenë në grup punues ishte i guximshëm, dhe në publik e dha versionin e vet:
Projekt Kodi Civil nuk ka kaluar në Kuvend sepse parashihte bashkësitë civile të personave të gjinisë së njëjtë dhe parashihte që ato të rregullohen më pas me ligj të veçantë.
Të kujtojmë kodi nuk kaloi për shkak se në radhët e dy partive Vetëvendosjes dhe AAK-së ka pasë deputetë me bindje konservatore, për të cilat kjo dispozitë ka qenë e papranueshme.
Projekt Kodi Civil u bë temë e madhe debati sepse ka mbërri deri në Kuvend. Një projekt ligj tjetër ku parashihen ndryshime rrënjësore është ai për gjendje civile.
Kosnulltimet publike për këtë projektligj janë mbyllë dhe u është shpërndarë deputetëve. Gjasat që ky projektligj me kalu para zgjedhjeve janë të vogla, mirëpo, përmbajtja e tij është interesante.
Ajo çka di unë është që seksi, gjinia dhe identiteti gjinor janë çështje shumë më të rrëshqitshme sesa kodi civil, sesa bashkësitë civile të personave të gjinisë së njëjtë.
Sa për ilustrim në ligjin aktual për gjendjen civile këso formulimesh nuk ka. Ligji aktual e përcakton që në aktin e lindjes së një fëmije, duhet të precizohet gjinia, jo seksi dhe në rast se organet gjenitale të fëmijës kanë çrregullime, gjinia përcaktohet me konstatim të mjekut. Gjinia përcaktohet, jo seksi.
Gjinia karakteristikë e lindur, jo rol i fituar që mund të ndryshojë me kalimin e kohës.
Mirëpo, edhe në projektligjin që nuk u miratua ende, akti i lindjes së fëmijës parashihet të përmbajë emrin e babës dhe të nanës, jo të prindit 1 e 2.
Javën e kaluar kam thënë që deputetët i kemi të dobët. Në pjesë e tyre s’dalin në punë, një pjesë e tyre edhe kur dalin, e shkelin Kushtetutën, ama rrogat e mëditjet i marrin me rregull.
Tash, kur për këto tema nuk ka debat në Kuvend, ka me pasë në media, në xhami e kisha, në sallone të frizerave dhe në kuptohet, në rrjete sociale, mirëpo, asnjë nga këto vende të debatit nuk diktojnë agjendë politike! E për këto tema, politikanët duhet të deklarohen!