Kryejnë njërin prej shërbimeve më të rëndësishme, por kushtet e punës nuk i kanë të mira. Objekti i vjetër dhe hapësira e ngushtë po i detyron që edhe pak kamionë që kanë t’i lënë në oborr.
Sikur kjo të mos mjaftonte, zjarrfikësit e Komunës së Kaçanikut shpesh përballen edhe me bllokim të hyrjeve nga veturat të cilat parkohen përpara objektit dhe kjo vonon edhe intervenimin.
Periudha më e vështirë gjatë vitit është stina e dimrit.
Në komunën e Kaçanikut për problemin në fjalë janë në dijeni. Dhe tashmë kanë filluar punimet për objektin e ri dy kilometra më larg.
Sabedin Vishi, nënkryetar i komunës, tha se pika e re do t’u mundësojë zjarrfikësve intervenim më të shpejtë.
Brigada e Zjarrfikësve në Kaçanik përballet edhe me mungesë të stafit. Nga 27 zjarrfikës sa do të duhej të ishin, aktualisht punojnë vetëm 13. /atvlive.tv