PËRGATITI: NORA LUTA
Më shumë se një vit që nga aktgjykimi i shkallës së parë, të martën Apeli ka shqyrtuar ankesat e Prokurorisë dhe mbrojtjes, në rastin e njohur si Gylenistët.
Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, ishte shpallur fajtor dhe është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Por, mbrojtja e Gashit, para kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së shkallës së dytë, ka pretenduar se aktgjykimi nuk përmban asnjë arsyetim.
Sipas avokatit, ish-shefi i AKI-së nuk e keqpërdori detyrën zyrtare, por përkundrazi veproi drejt në çështjen e dëbimit të shtetasve turq nga Kosova.
Prokuroria Speciale e kishte akuzuar Driton Gashin, për të cilin u tha se pa siguruar asnjë provë se paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, kishte rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe me të njëjtin arsyetim ishin dëbuar nga Kosova gjashtë shtetas turq.
Për keqpërdorim të detyrës zyrtare, PSRK-ja i akuzonte edhe ish-drejtorin i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Valon Krasniqi, dhe Rrahman Sylejmanin, ish-drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj, në kuadër të Policisë Kufitare, por ata janë liruar.
Ndërkaq, edhe organi i akuzës ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë.
Policia e Kosovës gjatë një aksioni më 29 mars të vitit 2018, në bashkëpunim me AKI-në, kishte arrestuar gjashtë shtetas turq, të cilët akuzoheshin nga Ankaraja për grushtshtetin e organizuar atje.
Ky rast kishte nxitur reagime ndërkombëtare, për çka Kosova u kritikua për shkelje të të drejtave të njeriut./atvliv.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: