Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e ndryshuar për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se projektligji për byronë është ndër më të rëndësishmit të ekzekutivit, derisa shtoi se pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji i njëjti do bëhet si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare
“Pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet. Jetësimi i konceptit civil si zotim i yni përveç se do ta ruajë pasurinë publike dhe do t’ia kthejë shtetit atë që është përfituar jashtëligjshëm, byroja do të shërbejë si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”, tha ai.
E ndryshimet e projektligjit i paraqiti ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se në Projektligjin e ri për byronë janë adresuar vetëm katër nenet që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Pas aktgjykimit të Gjykatës ne nuk kemi draftuar një projektligj të ri, pasi s’ka pas nevojë për këtë. Ne kemi adresuar vetëm katër çështje që i përmend edhe veti kryeministri që janë vlerësuar në kundërshtim me kushtetutën. Së pari adresimi i retroaktivitetit të ligjit, ndryshimi i ri ka përfshirë konceptin e pamundësisë objektivave si një element kyç procedural që ofron një mekanizëm mbrojtës për ata që nuk mund të ofrojnë prova për shkak të kalimit të kohës apo faktorëve të tjerë objektiv. Kjo qasje e re ndihmon në garantimin e një procesi më të drejtë dhe më të qartë për të gjitha palët e përfshira në procedurë të konfiskimit. Qartësia e periudhave kohore për verifikimin e pasurisë. Gjykata kushtetuese ka theksuar nevojën për qartësi dhe para shikueshmëri për periudhat kohore që Byroja mund të mund të verifikojë pasurinë e fituar. Ndryshimet e reja sigurojnë se përudha e verifikimit të pasurisë të lidhet me periudhën kur zyrtari publik ka qenë në funksion, duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për pesë vite pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik nëse vlerësohet se pasuria është më e lartë sesa të ardhurat e ligjshme”, tha ajo.
Në anën tjetër, kreu qeveritar duke folur për nevojën e miratimit të Programit Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirës, tha se i njëjti synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në mënyrë që shoqëria të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbet në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura.
“Bazuar në programin tonë qeverisës, ndryshimeve në ambientin strategjik të sigurisë dhe me qëllim të forcimit të sistemit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar programin kombëtar për mbrojtjen gjithëpërfshirëse. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme konvencionale dhe jokonvencionale dhe ruajtja e jetës dhe pasurisë së qytetarëve në raste të fatkeqësisë natyrore janë interesa jetike të Republikës së Kosovës. Programi është hartuar duke marrë për bazë sisteme të ngjashme që aplikohen në vende të ndryshme të NATO-s. Ky program synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në vendin tonë në mënyrë që shoqëria jonë të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbët në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura. Sistemi ka në thelb mbështetjen që qytetarët ia japin në baza vullnetare ushtrisë sonë, FSK-së, por edhe të kombinuar me strukturat tjera shtetërore”, tha kreu qeveritar.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se programi nuk ndërhyn në zhvillimin e FSK-së, por mundëson që qytetarët vullnetarisht të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë
Sipas tij, ky program është mbështetur në shtatë shtylla: Funksionimin shtetëror në raste krizash, organizimin shtetëror për mbrojtjen e vendit, mbajtjen e funksioneve vitale dhe shërbimeve esenciale të shtetit, qëndrueshmërinë shtetërore, qëndrueshmërinë e furnizimeve shtetërore, mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe edukimin e të rinjve dhe të rejave.
“Ky sistem nuk ndërhynë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, por njëkohësisht mundëson që qytetarët vullnetarisht të ketë rolin e tyre në sistemin tonë të mbrojtjes dhe sigurisë. Përderisa FSK-në po e zhvillojmë dhe ndërtojmë në përputhje me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, në programin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse po vendosim bazën për përgatitjen dhe edukimin e qytetarëve dhe institucioneve për rolin e tyre në sistemin mbrojtës, për mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe dezinformatave dashakeqe, për të siguruar vijimësimin e funksionimit të furnizimeve dhe shërbimeve esenciale në situata krize dhe për të punuar në funksionalizimin e strehimoreve kolektive dhe aktivitete të tjera”, ka thënë Maqedonci.
Qeveria e Kosovës po ashtu e emëroi drejtor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) Bekim Hoxhën.
Krahas këtyre, Qeveria miratoi edhe koncept-dokumentin për ndihmë juridike falas dhe Projektligjin për kontabiliteti, raportim financiar dhe auditim./KP/