Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka thënë se në ndeshjen e parë kundër Rumanisë, në kuadër të Ligës së Kombeve në Prishtinë, Kosova do të futet në fushë vetëm për fitore.
Ai ka theksuar se forma e mirë e sulmuesve si Muriqi, Zhegrova e Albion Rrahmani e bënë edhe më të lehtë që Kosova të synojë fitore dhe se përzgjedhja për formacionin më të mirë kësaj radhe do të jetë më e vështirë.
“Të gjithë lojtarët janë në formë të mirë dhe për këtë lojë të parë në shtëpi jemi jashtëzakonisht të motivuar dhe do të bëjmë gjithçka që kundër Rumanisë të fitojmë”, tha fillimisht Foda
Përtej përballjes me Rumaninë, Foda ka theksuar gjithashtu se kësaj radhe “Dardanët” hyjnë me objektiv të qartë për ta rrëmbyer pozitën e parë duke triumfuar ndaj kundërshtarëve ndeshje pas ndeshjes.
“Është diçka jashtëzakonisht e mirë kur kemi në dispozicion lojtarë kaq të mirë dhe mund të zgjedhësh dhe siç e dimë në lojërat e kaluara nuk kemi shënuar shumë gola dhe siç e dimë në dispozicion kemi lojtarë si Albioni apo Asllani dhe ne shpresojmë që edhe në lojërat e përfaqësueses të shënojnë”, ka shtuar Foda.
Nga ana tjetër, menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala zbuloi se futbollisti Besfort Zeneli ka refuzuar që të jetë pjesë e Kosovës.
“Besforti e ka pasur ftesën e selektorit për këtë kamp, ka vendosur që të mos jetë pjesë e kampit për këtë ndeshje. Ne do të bisedojmë prapë qoftë me Besfortin qoftë me familjen e tij, por për këtë ndeshje Besforti ka vendosur që të mos jetë pjesë e ekipit”, bëri të ditur Shala.
“Nuk e kemi si qëllim të jemi vetëm favorit. Qëllimi i parë është që pikë së pari në këtë lojën e ardhshme të fitojmë. Sigurisht që objektivi ynë është të jemi favorit, t’i fitojmë lojërat dhe të jemi në krye të grupit
Kosova përballet me Rumaninë më 6 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pastaj luan kundër Qipros tri ditë më vonë.