Raporti: Fatlum Jashari
Nga mëngjesi i së martës, deri në përmbushje të kuotës ose më së largu për dy javë, qytetarët do të mund të aplikojnë për të përfituar nga thirrja e dytë e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, për subvencionim të izolimit të shtëpive.
Me rreth 5 milionë euro buxhet në dispozicion, Fondi parasheh subvencionimin e rreth 1300 familjeve – të cilat mund të përfitojnë deri në 45% të shumës së investimit në masa si: izolimi i mureve të jashtme, izolimi i kulmit, ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme.
Në rastet e bashkëpronësisë së çiftit, ose kur gruaja është pronare e vetme, parashihet subvencionim deri në 50% të totalit të investimit, që në asnjërin rast nuk mund të tejkalojë vlerën 5500 euro.
Krahas përmbushjes së kritereve, shpejtësia e aplikimit mund të jetë përcaktuese në përfitimin eventual.
“Kësaj radhe thirrja parashihet të jetë e hapur për dy javë, por duke pasur parasysh përvojën pozitive të familjeve dhe interesimin e madh për këtë thirrje, ju ftoj të gjithëve që të aplikoni sa më parë, sepse kush aplikon i pari shërbehet i pari”, tha kryeministri Albin Kurti.
Pasi tregoi se vitin e kaluar përfituan rreth 2150 familje, drejtori i Fondit Driton Hetemi listoi disa prej rezultateve.
“Rezulton se nga të gjitha masat e realizuara nga ato shtëpi, kemi izoluar rreth 600 mijë metra katrorë të sipërfaqeve të mureve të jashtme, kemi bërë 90 mijë kilometra katrorë të sipërfaqeve të kulmeve dhe kemi ndërruar rreth 13 mijë metra katrorë të dritareve dhe dyerve të jashtme. Përmes këtyre masave pritet që konsumi i energjisë për metër katror në vit të reduktohet nga 155 kilovat orë, në rreth 111 kilovat orë për këto shtëpi”, tha Hetemi.
Aplikimi për përfitim bëhet nëpërmjet llogarisë në platformën E-Kosova, sipas hapave të përshkruar në udhëzuesin e publikuar nga Fondi.