PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Në mëngjesin së premtes, pjesëtarë të Policisë krijuan një perimetër sigurie te ndërtesa e Qeverisë.
Disa rrugë në qendër të kryeqytetit u mbyllën pjesërisht dhe përkohësisht, ndërsa njësi të reagimit të shpejtë, me armë të gjata u panë, po ashtu.
Në ditën e dytë të vizitës së befasishme në Kosovë, shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane, William Burns, u takua me kryeministrin Albin Kurti.
Sikurse të enjten në Presidencë, edhe këtu zyrtari i lartë amerikan qëndroi rreth 50 minuta.
Nëpërmjet një kumtese, Zyra e Kryeministrit theksoi se vizita e Burns-it përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet Kosovë-SHBA.
“Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Krahas, siç shkruan në kumtesë, shprehjes së “përkushtimit për thellim të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët” dhe “orientimit të palëkundur euroatlantik”, kryeministri i foli shefit të CIA-s për rritjen dhe zhvillimin ekonomik.
Me përfundimin e takimit në Qeveri, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane mbylli vizitën në kryeqytetin e Kosovës.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses!”, shkroi presidentja Vjosa Osmani një njoftimin për takimin e një dite më parë.
Përveç pjesëmarrjes në dy takimet e drejtorit të CIA-s, William Burns, me krerët shtetëror, shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, e priti atë në selinë qendrore.
Paraprakisht, në kuadër të turit në rajon, Burns qëndroi për vizitë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi.
Në shkurt të vitit 2012, Burns kishte vizituar Kosovën – atëkohë në cilësinë e zëvendëssekretarit të shtetit, në administratën e presidentit Barack Obama./atvlive.tv





