Një shtetas amerikan dyshohet se ka vrarë bashkëshorten – shtetase indoneziane, dy qentë e tyre dhe më pas edhe veten gjatë pasdites së të hënës në Tiranë.
Çifti jetonte në Shqipëri, teksa i dyshuar për rastin, Mathew James Werts punonte si mësues në një shkollë private në kryeqytet.
Sipas hetimeve të para, në një nga dhomat e banesës të marrë me qira, u gjet e mbytur me litar shtetasja indoneziane. Në po të njëjtën dhomë, janë gjetur të vrarë dy kafshë shtëpiake – qen, të cilët mendohet se janë goditur me mjet të forte, shkop bejsbolli.
Ndërkaq, në dhomën tjetër ishte gjetur i varur i dyshuari kryesor.
Mes tjerash, policia ka gjetur edhe një letër lamtumire.
Shtetasi amerikan, në letrën drejtuar prindërve, iu kërkonte falje se nuk ishte bërë burrë dhe nuk kishte hequr dorë nga veset, “duke shtuar se njerëzit e dashur po i merr me vete” dhe mes tjerash tregonte të gjitha veprimet që kishte ndërmarrë.
Ndërkohë, janë sekuestruar prova materiale si: litarët e gjendur në trupin e dy kufomave; një letër e shkruar me shkrim dore në gjuhën angleze, në të cilën përshkruan veprimet që ka ndërmarrë autori; dorëshkrime të mëparshme të tij; dorëshkrime të mëparshme të sekuestruara në shkollën private ku ai jepte mësim; një telefon celular; katër kompjuterë laptopë; një shkop bejsbolli; një shumë parash në lekë shqiptare dhe valuta të huaja; një automjet tip Mercedes A Class, me targë AA 510 YP në pronësi të shtetasit amerikan.
Të gjitha provat e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme kriminalistike dhe mjekoligjore, ndërsa autopsia e kufomave është kryer gjatë të martës në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.





