PËRGATITI: NORA LUTA
Javën e ardhshme do të hyjë në fuqi udhëzimi i ndryshuar, që lehtëson procedurat e shitjes dhe dhënies me qira, të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar.
Dokumenti, të cilin Qeveria e ndryshoi për të lehtësuar dhënien me qira të pasurisë së Milan Radojicicit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, u publikua të enjten në gazetën zyrtare.
Shtatë ditë pas publikimit, udhëzimi do të jetë i zbatueshëm, duke i hapur rrugë MBP-së, që të shfrytëzojë vilën milionëshe buzë liqenit të Ujmanit, banesën dhe restorantin “Grey” në Mitrovicë të Veriut.
Udhëzimi, të cilit i është shtuar vetëm një nen, ai 21/A do të mundësojë dhënien me qira, dhe shitjen e pasurisë së paluajtshme, pa ankand publik, kur kërkesa për shfrytëzim do të jetë nga një institucion shtetëror edhe në rastet e tjera.
Megjithatë, juristët këtë ndryshim e kanë parë të ngutshëm dhe me pasoja negative për rastet e tjera në përgjithësi.
Sipas udhëzimit që është aktualisht në fuqi, pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara shiten dhe lëshohen me qira përmes procedurës së ankandit publik.
Ankandi është i përcaktuar, në ankand me oferta të mbyllura, verbal dhe në ankand online.
Gjithnjë sipas udhëzimit, nëse dy ankande dështojnë radhazi, dhe vlerësohet se pasuritë nuk mund të shiten në ankand publik, Agjencia mund të vendosë ato të shiten me marrëveshje direkte.
Në maj të këtij viti, Gjykata e Prishtinës dha pëlqimin për dhënien me qira të pasurisë së sekuestruar të të dyshuarit kryesor për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Milan Radojicic.
Megjithatë, ende nuk dihet se kur dhe nëse Policia e Kosovës do ta shfrytëzojë vilën milionëshe buzë liqenit të Ujmanit./atvlive.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:






