Në Parkun Kombëtar të Sharrit janë lokalizuar vatrat e zjarrit.
Drejtori i këtij parku, Bashkim Kafexholli, tha të premten se 80 për qind e zjarrit është shuar ditën e enjte, pas reshjeve të shiut në këtë zonë.
“Ekipet tona dhe zjarrfikësit e komunës së Prizrenit, sot gjenden në terren dhe janë duke lokalizuar vatrat e vogla të zjarrit që kanë mbetur”, tha Kafexholli.
Parku Kombëtar i Sharrit është përfshirë nga zjarri më 5 gusht. Përgjegjësit e parkut, më 8 gusht, kanë kërkuar ndihmën e forcave paqeruajtëse në Kosovë KFOR, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera për intervenim nga ajri me helikopterë.
“Dje situata ka qenë alarmante”, theksoi Kafexholli duke shpjeguar se terreni është i rrezikshëm dhe është e pamundur që të shuhet zjarri nga toka.
“Falë reshjeve të shiut, sot nuk ka nevojë as për KFOR-in dhe as për FSK-në”, tha ai.






