Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është zgjatur afati për konvertimin e patentë-shoferëve ilegalë serbë në patentë-shoferë zyrtar të Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit të Ministrisë së Brendshme, afati për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë do të përfundonte më 9 gusht. Por për shkak të “kërkesave të shumta të qytetarëve” si dhe “kërkesën për zgjatje të afatit” nga Policia, Sveçla ka thënë se ka pasur konsideratë.
“Bazuar në kërkesat e shumta të qytetarëve për aplikim të pajisjes me patentshoferë të Republikës së Kosovës, ku vetëm dje kemi pasur 273 sosh, si dhe kërkesën për zgjatje të afatit për aplikim i cili sipas vendimit tonë përfundon nesër, kam marrë në konsideratë ato me ç’rast afati për konvertim do të zgjatet deri me 23 gusht 2024. Pas kësaj date, për të gjithë ata që nuk konvertojnë patentshoferët, do të veprohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, dje në Leposaviq janë lëshuar 106 patentë-shoferë, në Mitrovicën Veriore 51, në Zveçan 48, në Zubin Potok 33 dhe në Graçanicë 12.
Ndërsa, nga data 10 maj e deri më 7 gusht, numri i tyre ka shkuar në 5 mijë e 588.






