11.1 C
Pristina
Sunday, March 22, 2026

“Humbja e aleatëve” rrezikon integrimin euro-atlantik të Kosovës

PËRGATITI: FATLUM JASHARI      

Në një deklaratë të rrallë nga një lider shteti, presidenti kroat Zoran Milanovic në prani të homologes kosovare,Vjosa Osmani, dhe haptas, tha se “Kosova humbi mbështetjen që e kishte në fillim nga aleatët e saj”.

Në këtë kontekst, ai përmendi rëndësinë që kishte për Kroacinë fitimi i aleatëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Teksa tha se duhet komunikim sistematik diplomatik dhe me gjuhë të kujdesshme me aleatët, profesori Abit Hoxha vlerësoi se Kosova është në këtë pikë për shkak të pamaturitetit.

“Kosova ka përfunduar me sanksione si rezultat i keqkomunikimit të institucioneve të Kosovës me BE-në, por edhe si rezultat i ndryshimeve të BE-së, ndryshimit të një gjenerate të tërë në BE, të cilët 25 vjet pas konfliktit ose luftës në Kosovë kanë shkuar në pension dhe gjenerata e re ka një qasje tjetër për Kosovën”, u shpreh Hoxha.

Në këtë kontekst, profesori Hoxha theksoi se Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e saj ndërkombëtare, pasi më nuk është në epiqendër të vendimmarrjes ndërkombëtare, por trajtohet si një shtet i vogël.

Kosova është krijuar si rezultat i një marrëveshjeje, si të themi, mes partnerëve ndërkombëtarë dhe Kosova do të duhej të bashkërendisë veprimet me bashkësinë ndërkombëtare. Tani në Kosovë është bërë pak qesharake ky koordinimi me bashkësinë ndërkombëtare, por është esenciale që Kosova të ruajë aleancën me bashkësinë ndërkombëtare, për shkak se Kosova është krijesë e tillë që nuk duhet ta vë bashkësinë ndërkombëtare në pozitë të vështirë, në raport me zhvillimet e tjera ndërkombëtare”, tha tutje Hoxha.

Deklaratën e Milanovicit, sipas politologut Fidan Ukaj, Kosova duhet ta marrë si një këshillë nga një vend mik, për rëndësinë e aleatëve në synimet e saj për integrim euro-atlantik.

Kroacia nuk kishte në fillim, por më vonë i fitoi këta miq dhe aleatë, e pikërisht nëpërmjet këtyre miqve e aleatëve arriti të hyjë në BE dhe në NATO. E që mendoj se ka qenë mesazh i qartë për Kosovën se zbehja e përkrahjes ndërkombëtare ose humbja e aleatëve ndërkombëtarë, sigurisht se vështirëson rrugën e Kosovës për njohjen nga pesëshja e BE-së, organizata ndërkombëtare dhe pashmangshëm në NATO”, deklaroi Ukaj.

Për më shumë se një vit, Kosova aktualisht është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa, në momente të caktuara ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka përsëritur se veprimet e pakoordinuara nga Kosova mund të ndikojnë në cilësinë e marrëdhënieve ndërshtetërore./atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA