1674 asete barten në fondin sovran, krijohen edhe ndërmarrje të reja

Nga 2300 asete që Agjencia Kosovare për Privatizim ia kishte propozuar Qeverisë, 1674, vlera e saktë monetare e të cilave nuk dihet, do të barten në Fondin Sovran.
Rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit kanë numrin më të lartë të aseteve që pritet t’i marrë në menaxhim ky fond.

Me themelimin e Fondit, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, nuk e përjashtoi mundësinë e krijimi të ndërmarrjeve të reja.

“Vlerësimi ynë është që do të jenë 6 ndërmarrje publike, duke fillu me Trepçën, KEK-un, Telekomin dhe dy ndërmarrjet hekurudhore. Por do të ketë edhe asete të tjera që do të barten nga AKP-ja, të cilat do të menaxhohen nga një ndërmarrje e re. Mund të formohet një ndërmarrje e re ku do të futet Brezovica, hotel “Grandi” etj”, tha Mjeku.

Ndonëse, sipas zëvendësministrit Selimi, Fondi Sovran është mekanizëm i domosdoshëm për zhvillim ekonomik, opozita ka dyshime. Madje për një ish-ministre të Financave, projektligji është antikushtetues.

“Për shembull, te neni 65 thuhet se Fondi Sovran dhe ndërmarrjet të cilat do të bëhen pjesë, nuk e kanë për obligim ta zbatojnë Ligjin për Prokurimin Publik, i cili për mua është shumë problematik. Nuk e kanë për obligim ta zbatojnë ligjin e punës, rregullat dhe kriteret për raportim financiar, andaj si i tillë duket që është antikushtetues”, tha ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Por, këto pretendime të opozitës, ekzekutivi i vlerëson të pabazuara.

“Këto sfidat e vazhdueshme kushtetuese janë vërtetë të paarsyeshme. Këta deputetë që po thonë se ky ligj është antikushtetues, janë të njëjtit që e kanë bllokuar ligjin për produkte bazike dhe na e pamundësojnë mbrojtjen e qytetarit”, tha zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.

Bartja e aseteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit te Fondi Sovran parashihet të bëhet brenda një periudhe dyvjeçare. Bazuar në Ligjin për Agjencinë, në rast të shpronësimit, për këtë proces, ish-drejtues të AKP-së kishin paraparë kosto milionëshe. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA