13.6 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

ZRRE-ja gjobiti KOSTT-in me 439 mijë euro, shkas edhe rryma në veri

Pos humbjeve në vlerë 63 milionë euro, më 2022, problemet që derivojnë nga mosinkasimi për energjinë e shpenzuar në katër komunat me shumicë serbe në veri, janë bërë shkas edhe për gjobitjen e KOSTT-it.

Të premten, Zyra e Rregullatorit për Energji, duke marrë për shkas shkeljet e gjetura në raportin e monitorimit, gjobiti Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut me 439 mijë euro.

Sikurse KEK-u, edhe KOSTT-i tregtoi me operatorë të palicencuar, si Holding Slovenske Elektrarne – HSE, GEN-I Shkup, Ener Trade e disa të tjerë.

Importin nga këto dhe të tjera kompani e përdori për të mbuluar humbjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Për veriun KOSTT-i bleu edhe nga KEK-u duke shfrytëzuar, kundër rregullave të tregtimit, kushtet e një kontrate, e cila i siguroi çmim tetë herë më të lirë, sesa çmimi i importit.

Me 253 mijë euro bleu mbi 7 mijë megavat orë energji, me çmim mesatar 36 euro për megavat/orë.

Ndërsa, importoi me çmim mesatar 290 euro për megavat/orë – me ç’rast për rreth 9300 megavat pagoi më shumë se 2.7 milionë euro.

Pjesa më e madhe e energjisë për veriun u tërhoq nga rrjeti evropian, që u faturua me çmim të tregut – rreth 185 euro për megavat/orë.

Për devijimet nga interkonjeksioni, KOSTT-i mori vërejtje nga Rrjeti Evropian.

Në kundërshtim me rregullat, për t’i mbuluar humbjet në veri, KOSTT-i përdori edhe rezervat për rregullimin e sistemit, e po ashtu edhe Fondin për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë.

Vetëm në dy vjetët e fundit, buxheti i shtetit është dëmtuar mbi 100 milionë euro nga moszbatimi i marrëveshjes së Brukselit për energjinë.

Më 2022, humbjet nga mosinaksimi për energjinë e shpenzuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ishin 63 milionë euro, ndërsa më 2021 – rreth 42 milionë euro.

Krahas shkeljeve raporti, i hartuar në nëntor, evidenton borxhe të kompanive të tjera ndaj KOSTT-it, në vlerë totale prej 52 milionë eurosh.

Dy borxhlinjtë më të mëdhenj janë KESCO-ja, me 44 milionë euro, dhe KEDS-i me 3.5 milionë euro. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA