Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik është kërkuar që të tërhiqet dhe të kthehet në komisionet përkatëse. Kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk mori përkrahjen e deputetëve të pushtetit, ndërkohë që partitë opozitare kanë deklaruar se të tri këto projektligje janë kundër standardeve ndërkombëtare.
Propozimi i LDK-së për tërheqjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës është kundërshtuar nga 47 deputetë, është përkrahur nga 27 deputetë dhe katër kanë abstenuar. Për këtë propozim ka abstenuar kryeparlamentari, Glauk Konjufca.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj kërkoi që tri projektligje t’i kthehen komisioneve përkatëse për shqyrtim.
“Ne kemi propozim që tri ligje të tjera, projektligje të tjera t’i kthehen ose komisioneve ose propozuesit. E para është Ligji për Këshillin Prokurorial, e dyta është Ligji për KPM-në dhe e treta është Ligji për Zyrtarët Publik. Për të tri këto projektligje, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Këshilli i Evropës kanë reaguar që materia në të cilën kanë punuar komisioneve parlamentare janë kundër standardeve ndërkombëtare. Ligjin për KPK-në dhe Ligjin për KPM-në kemi pasur edhe vendime të Gjykatës Kushtetuese, që ato janë kundër kushtetuese. Kemi menduar edhe pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias që ka pasur një keq lexim dhe nuk është kuptuar drejt Komisioni i Venecias dhe është bërë gabim nga komisioni parlamentar por me ripërtëritjen dhe me punën e sërishme që është bërë kemi parë që nuk është gabim por është punë e qëllimshme për kapjen e tre segmenteve më të rëndësishme të shoqërisë, që është organi i akuzës, mediat dhe administrata e shtetit”, shtoi ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi kundërshtoi propozimin e deputetit Selmanaj. Ai tha se opozita po përpiqet të vonojë dhe të pengojë zbatimin e reformës.
“Ne nuk pajtohemi me propozimin që të tërhiqet si pikë e rendit të ditës, sikurse nuk pajtohemi dhe po jap argumentet shkurtimisht që duhet të dërgohet apo ridërgohet në Komisionin e Venecias. E para, si Kuvend i Kosovës natyrisht që kemi dërguar projektligje Komisionin e Venecias dhe kemi marrë të gjitha rekomandimet dhe vlerësimet, si Komision për Legjislacion dhe grupi punues ka trajtuar secilin rekomandim me pjesëmarrjen e akterëve të ndryshëm institucional, të shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë dhe natyrisht që kanë pasur mundësinë dhe deputetët e opozitës për të kontribuar. Zotëri Selmanaj shprehimisht e në veçanti në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion ka refuzuar të përfshihet në grupin punues për të trajtuar këtë projektligj me argumentin që ky është kundër që në idenë apo konceptin e këtij projektligj”, deklaroi ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa tha se është luajtur ping-pong me projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Konsiderojmë që ky ligj si e tillë siç është sot në rend dite prapë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk duhet të shkojmë më tutje. Sepse vetëm humbim kohën e kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, andaj ne si PDK e përkrahim propozimin. Është edhe propozim i PDK-së që ky ligj të kthehet te sponzorizuesi dhe të punohet vërtetë në ligj dhe të shikohet se çfarë duan të arrijnë me këtë ligj”, u shpreh ai.
Edhe për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, deputeti Driton Selmanaj tha se nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Ju rekomandojmë fuqishëm që ta rikonsultoni Komisionin e Venecias, nëse komentet e Komisionit të Venecias janë marrë parasysh nga komisioni apo jo. Sepse thotë ne kemi dilemat tona që kjo nuk është bërë. Ju po votoni kundër standardeve të BE-së, unë jam duke folur për Zyrën e BE-së në Kosovë dhe jam duke folur për deklaratën publike të ambasadorit gjerman. Dikush këtu po gënjen, ose Adnan Rrustemi ose Zyra e BE-së. Zyra e BE-së thotë nuk e keni reflektuar komisionin”, u shpreh ai.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Media, Valon Ramadani tha se ky projektligj nuk cenon pavarësinë e mediave.
“Nuk është e vërtetë që me këtë projektligj, e që në momentin që votohet bëhet ligj, cenohet pavarësia e mediave. Absolutisht nuk ka cenim të mediave, ka përafrim të direktivës së Bashkimit Evropian e cila e vitit 2018, e ne Ligjin në fuqi të KPM-së e kemi nga viti 2018”, theksoi ai.
Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga partia në pushtet që të adresohen shqetësimet e Bashkimit Evropian.
As ky propozim nuk ka kaluar, meqë 25 deputetë kanë votuar për, 50 kanë qenë kundër dhe tri kanë qenë abstenime.
Në seancë plenare, deputeti Selmanaj ka kërkuar nga deputetët që të tërhiqet edhe projektligji për Zyrtarët Publik, për çka tha se në të kundërtën do të largohen nga salla plenare. Ky propozim i LDK-së është përkrahur nga 25 deputetë, 50 kanë qenë kundër dhe tri abstenime. /kp