Përgatiti: Arian Hajdaraj
Ky lokal në Runik të Skenderajt ishte kthyer në skenë krimi në gusht të 2023-tës.
Dy persona të maskuar, sipas dëshmitarëve, shtinë me kallashnikov duke vrarë një person.
Të dy u larguan në drejtim të panjohur për të mos u arrestuar asnjëherë.
Kësaj vrasjeje i kishte paraprirë një tjetër konflikt i armatosur. Më 4 gusht të po atij viti, në qendër të Prishtinës ishte vrarë Kastriot Ramadani. I dyshuari Dukagjin Lekaj, cili ishte i njohur për organet e sigurisë, u arratis po ashtu. Në aktakuzën që u ngrit tash, ai që njihet edhe si Dukagjin Nikolla, përmendet si protagonist kryesor.
Në arrati po ashtu janë edhe Ahmet dhe Naim Berisha, të cilët dyshohen për një vrasje të kryer në fundin e muajit maj.
Sipas njohësve të çështjeve të drejtësisë dhe sigurisë, pasojat e mosarrestimit të të të dyshuarve, janë disa.
“Mbetja në arrati e personave të tillë, dëshmon se hallkat mes institucioneve janë të shkëputura dhe nuk ka bashkëpunim serioz ndërmjet prokurorive, gjykatave dhe policisë”, tha tha avokati dhe ish-hetuesi në Polici, Muhamet Mujaj.
“Kur këta persona janë në arrati, natyrisht që cenohet imazhi i mekanizmave të sigurisë dhe të drejtësisë”, tha ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.
Andaj, për kapjen e tyre konsiderohet se duhet të ndërmerren veprime të tjera konkrete nga institucionet.
“Shteti duhet të krijojë plane konkrete për materializimin e akteve për arrestimin e personave të tillë dhe të dalin para drejtësisë”, tha Hoxha.
“Personat e tillë që vazhdojnë të jenë në arrati, mund të jenë kryes potencialë të veprave të ngjashme apo të tjera. Për këtë arsye, institucionet duhet të krijojnë operacione të veçanta…”, tha Mujaj.
Përveç të dyshuarve për vrasje, në arrati vazhdon të jetë edhe i dyshuari për grabitjen në argjendarinë në Suharekë.