Përgatiti: Kastriot Tahiri
Pushtet e opozitë në Kosovë pajtohen që ura mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug dhe veri duhet hapur. Hapja e mundshme e saj është duke u trajtuar me shumë seriozitet nga Qeveria, thotë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
“Edhe tema e urës edhe tema të tjera janë tema që duhet të trajtuar me seriozitet nga institucionet tona, si nga ato lokale ashtu edhe ato qendrore. Strategjia e kësaj qeverie në forcimin e sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse që kemi parë gjatë 25 vjetëve të fundit. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë hapa pozitivë, ndërkohë jemi shumë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojmë territorin tonë, qytetarët dhe institucionet tona të sigurisë”, tha Gërvalla.
Megjithatë, derisa Bashkimi Evropian insiston që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e konsideron të nevojshme edhe përfshirjen e SHBA-së.
“Për me bë këtë pjesë duhet me pasë një bashkëpunim dhe bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillimisht… Ura duhet të hapet, mirëpo kur të hapet ura shteti nuk guxon të kthehet prapa. Unë nuk e kam problemin e hapjes së urës pasi duhet të hapet. Duhet me na ndihmua Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet të tjera që të hapet ura”, tha Tahiri.
Duke marrë parasysh që situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë tash e një kohë, për analistët politikë duhet pasur kujdes që kjo çështje të mos ngjallë valë të re dhune.
“Realisht presioni i madh që mund të ekzistojë nuk është siç ka qenë më parë, por edhe qëndrueshmëria e komunitetit serb nuk është siç ka qenë më parë. Hapja e urës do të ndodhë shumë shpejt, sepse është më shumë një çështje humane dhe të drejtave të njeriut, se që krijon probleme. Duhet me një vetëdijesim dhe bashkëpunim, që kur të hapet ura të mos ketë protesta, apo kundërefekt apo ndonjë notë verbale nga partnerët evropianë”, tha Dritëro Arifi, njohës politik.
Më 31 maj, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut mbajti një seancë në të cilën është diskutuar çështja e zbatimit të vendimit për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Vendimi për hapjen e Urës ishte marrë në prill të 2023 dhe nuk ishte zbatuar edhe pse ishte pikë e dy marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2015 dhe 2016 në kuadër të dialogut.







