Përgatiti: Sara Shehu
Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon ta kundërshtojë planin rregullues për lagjen “Kalabria”, edhe pas miratimit në Kuvendin komunal të Prishtinës.
Propozimi i Kryetarit Përparim Rama të hënën mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe tri partive të vogla, por jo edhe të Partisë Demokratike të Kosovës e as të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në një konferencë për media, Asamblisti i PDK-së, Leutrim Ratkoceri, akuzoi Ramën se në koordinim me Lëvizjen Vetëvendosjen, 15 hektarë të pronës publike përreth Stacionit të Autobusëve i dhanë për ndërtim të lartë.
“Fatkeqësisht nuk u arrit të adresohet shqetësimi ynë kryesor, tjetërsimi i pronës publike të Stacionit të Autobusëve. Pra, pavarësisht përpjekjeve tona, Përparim Rama e kaloi planin e ‘Kalabrisë’, ku 15 hektarë të pronës publike të Stacionit të Autobusëve i ktheu në ndërtim të lartë. Kjo u arrit falë bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, njësoj siç kishte arritur ta votonte edhe shkëmbimin e pronave të Badovcit”, tha Ratkoceri.
Ndërsa, nënkryetarja e PDK-së, Besiana Musmurati, theksoi se edhe më shqetësues është fakti se Përparim Rama nuk do të ndalet vetëm me planin e “Kalabrisë”. Por ajo u zotua se do t’i mbrojë pronat publike, siç ndodhi me Badocin.
“Të bëhemi bashkë që të mos lejojmë degradimin e mëtutjeshëm të qytetit. Dua t’i siguroj qytetarët e Prishtinës që ne do të jemi këtu për të mbrojtë pronën publike, sikurse në Badoc e Kalabri, në çdo lagje tjetër të Prishtinës. Prandaj ju ftojmë që në këtë betejë publike me ndërtimin e lartë e betonizimin në kurriz të pronës publike, të bëhemi bashkë për Prishtinën”, u shpreh ajo.
Plani për Kalabrinë arriti të miratohet vetëm pas disa ndryshimeve, përfshirë kërkesën e banorëve që protestuan disa ditë me radhë para komunës, që koeficienti i pronave private të rritet nga 1.5, në 2.4. Po ashtu, edhe vlera e koeficientit në pronën publike te Stacioni i Autobusëve u ul nga 7 në 3.






