Përgatiti: Armand Hoti
Pas fjalimeve hyrëse që u lejuan të xhiroheshin, për tri orë, me dyer të mbyllura, presidentja Vjosa Osmani diskutoi me disa prej kryetarëve të komunave.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Osmani tha se në fokus ishte mundësia e bashkëpunimit në luftën kundër dhunës në baza gjinore, si dhe për mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Falënderoj të gjithë kryetarët për zotimin e përbashkët i cili u miratua sot unanimisht që të bashkëpunojmë në mënyrë që ta eliminojmë dhunën në baza gjinore, të bashkëpunojmë që të ofrojmë sa më shumë shërbime dhe përkrahje për fëmijët me nevoja të veçanta”, tha Osmani.
Por, për ta bërë këtë, sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, Ligji për Financat Lokale, duhet të ndryshohet e plotësohet.
“Është çështja e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Financat Lokale, nga e cila do të derivojë edhe granti specifik për çështjet sociale dhe çështjet familjare, që është adresë pikërisht e trajtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën, sepse pikërisht këto çështje janë adresë e një gjysmë përgjegjësie të Qendrave për Punë Sociale. Nuk mund të ketë adresim por edhe përgjigje adekuate pa sigurim të buxhetit shtesë dhe pa miratimin e këtij ligji”, tha Aliu.
Kërkesa e kryetarëve për më shumë financa, u mbështet nga e para e shtetit.
“Natyrisht që për realizimin e shumë prej tyre, shumë prej këtyre zotimeve, nënkupton edhe buxhet shtesë dhe natyrisht që i përkrah komunat në këtë kërkesë të tyre, edhe për sa i përket stafit në qendrat për punë sociale por edhe për aspektetë tjera që kanë të bëjnë me pavarësimin financiar të viktimave të dhunës”, tha Osmani.
Temë tjetër gjatë diskutimeve, u tha të ketë qenë edhe bashkëpunimi ndërinstitucional për promovimin e turizmit në Kosovë.






