Përgatiti: Sara Shehu
Në nëntor të 2023-tës, me vendim të Komunës së Prishtinës, filluan renovimet në disa Qendra të Mjekësisë Familjare.
Ndërkaq, brenda kësaj jave, renovimet kanë filluar edhe në QMF-në e Lagjes “Kalabria”.
Shërbimet mjekësore, banorët e këtyre dy lagjeve po i marrin në QMF-në në Dardani. Mirëpo, sipas tyre, stafi mjekësor nuk po i merr shpeshherë parasysh.
“Pak më herët isha në QMF në Dardani për një shërbim mjekësor, por më kthyen mbrapa, pasi punëtorët më thonë se nuk munden të më ofrojnë shërbime pasi që nuk jam banor i Dardanisë, domethënë shkova kot, e këtu shumë keq që është mbyllur QMF-ja vetëm për renovime, sepse këtu ka fëmijë të sëmurë, të moshuar”, tha Armend Metaj, pacient.
“Në QMF në Dardani isha po nuk kishte as staf mjekësor, pra mjekët nuk ishin aty për të na ofruar shërbime mjekësore, i njëjti hall ka qenë edhe në Kalabri”, tha Muhamet Metaj, pacient.
Mirëpo, ankesat e pacientëve prapa kamerave i kanë mohuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dardani.
Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, e ka konfirmuar për ATV-në, se ekziston marrëveshja me punëtorët shëndetësorë në QMF të Dardanisë, që derisa të përfundojnë renovimet në objektin në Kalabri, banorët të trajtohen aty.
Sidoqoftë, sipas të dhënave zyrtare, Komuna e Prishtinës ka një kontratë 3-vjeçare me një kompani private për të realizuar renovime në të gjitha Njësitë e Kujdesit Parësor Shëndetësor.






