Përgatiti: Kastriot Tahiri
Gjashtë shkolla fillore në Prishtinë, nga 1 shtatori do ta kenë orarin më të zgjatur. Komuna ka menduar që me vitin e ri shkollor 2024-2025, të fillojë me mësimin gjithë ditor.
Por njohësit e arsimit thonë se kjo është në kundërshtim me ligjin në fuqi, ngase mësimi tërë ditor e tejkalon normën e orëve të rregullta për mësimdhënësit, që parashihet me kontratë.
Që projekti të realizohet, Qehaja thotë se duhet angazhim shtesë të mësimdhënësve.
“Legjislacioni e mire definon angazhimin e mësimdhënësve, të shpërndara në 20 orë në përgatitje e 20 orë mësim të rregullt. Është e rëndësishme që mësimi gjithë ditorë të jetë i mirë planifikuar, pjesa kryqe e të cilit është shpërndarja e resurseve njerëzorë, pra sa e mësimdhënës mund të angazhohen tërë ditën sa duhet të rekrutohen e sa të tjerë do të shpërndahen në shkolla për të plotësuar fontin e orëve. Është vështirë e pritshme që një mësimdhënës i vetëm të qëndroj i angazhuar në proces mësimor për tete orë”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.
Meqë kontrata për mësimdhënësit parasheh 20 orë mësim të rregullt, ATV-ja, ka pyetur Drejtorinë e Arsimit se kush do të mbajë mësim me fëmijët deri pasdite, por nuk ka marrë përgjigje.
Por ATV, ka mësuar se komuna e Prishtinës, do të hap konkurs për rekrutimin e stafit të ri, për këto gjashtë institucione arsimore.
Sido që të jetë, paqartësi për mënyrën e mbajtjes së mësimit tërë ditor kanë edhe vetë shkollat në të cilat do të fillojë pilot-projekti.
“Ende jemi në fazën e diskutimeve, ende nuk është një vendim si do të duket si dizajn. Por nëse do të ketë nevojë për staf shtesë besoj që komuna e Prishtinës e ka menduar edhe atë pjesë”, tha Visar Osmani, drejtor i shkollës fillore “Emin Duraku”.
Ministria e Arsimit, kanë njoftuar se janë të gatshëm për t’i ndihmuar komunat pilot- projektin për mësimin gjithë ditorë.
Gjashtë shkollat në të cilat do të aplikohet mësimi gjithëditor janë Shkolla Model, “Dardania”, “Emin Duraku”, “Eqrem Qabej”, “Xhevdet Doda” dhe “Xhemajl Mustafa”.