Përgatiti: Nora Luta
Këtë vit u shënua 25-vjetori i masakrës së 22 majit në Vushtrri, gjatë së cilës mbi 50 civilë shqiptarë mbetën të vrarë, e mijëra të tjerë u dëbuan me forcë.
Një javë pas, në cilësinë e të akuzuarve për pjesëmarrje në këtë masakër dhe krime lufte në territorin e kësaj komune, Zoran Kostiq dhe Dragan Milovic në pranga u sollën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Por mbrojtja e Kostiqit tha se nuk u pajis fare me shkresat e lëndës, e ajo e Milloviqit vetëm pjesërisht, çka bëri që shqyrtimi fillestar të shtyhet për një ditë tjetër.
“Sipas ligjit, PSRK-ja e ka obligim që të na dorëzojë, aktakuzën e kam pranuar tani para disa çastesh, s’e kam lexuar unë, e as i akuzuari”, tha Predrag Milkoviq, avokat i Zoran Kostiqit.
Sipas aktakuzës, Kostic si pjesëtar i forcave serbe është përgjegjës edhe për masakrën ndaj familjes Ujkani.
“Në mesin e pjesëtarëve të tjerë të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë ishte edhe Zoran Kostic, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpitë të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik, si: Imer Ujkani, Muhamet Ujkani me bashkëshorte, Behxhet Ujkani, Fehmi Ujkani, Sofije Ujkani, Faik Ujkani, po ashtu, në ditën kritike vriten edhe Tefik Ujkani me bashkëshorten Halide Ujkani, dhe me qëllim për t’i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani”, thuhet në Aktakuzë.
Ndërsa, Dragan Milovic, sipas aktakuzës, kishte marrë pjesë në dëbimin me forcë të rreth 20 mijë civilëve.
“Në periudhën e luftës në Kosovë, me forcë i kanë dërguar diku 20.000
banorë civilë të Vushtrrisë te varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë
maltretuar, rrahur, torturuar civilë, të cilët gjendeshin të grumbulluar të varrezat e qytetit. Në mesin e kësaj popullate shqiptare ishte edhe Kadri Shaqiri, i cili e njihte tani të akuzuarin Dragan Milovic dhe e lut të akuzuarin që ta shpëtojë, por ai i thotë “skam çka me të ba””, thuhet më tej në Aktakuzë.
Kostiq e Milovic u arrestuan në shtatorin e vitit të kaluar, bashkë edhe me Ilija Elezoviqin, i cili dyshohej ndër të tjera se në fshatin Nadakoc kishte plagosur një person.
Por, Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij, pasi ai ka vdekur si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ai ishte liruar nga paraburgimi me dorëzani.