Përgatiti: Arton Hamiti
Prizreni, Ferizaj, Lipjani dhe Drenasi janë komunat më transparente për vitin 2023. Këto katër komuna, nga Instituti Demokratik i Kosovës janë vlerësuar me më së shumti pikë.
“Komunat e Drenasit, Prizrenit, Lipjanit dhe Ferizajt i kanë marrë 94 pikë. Pastaj e kemi Komunën e Klinës që ka shënua një progres të madh me 93 pikë. Ndërkohë, Komuna e Rahovecit dhe ajo e Skenderaj i kanë nga 92 pikë”, tha Selvije Kurti, menaxhere e projekteve në KDI.
Ndonëse, katër komunat veriore tashmë udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, vazhdojnë të mos qëndrojnë mirë në renditje sa i përket llogaridhënies ndaj qytetarëve. Përveç Mitrovicës së Veriut që është vlerësuar me 13 pikë, tri komunat e tjera renditen të fundit.
“Mitrovica e Veriut ka 13 pikë, Parteshi ka 12, ndërkohë, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku i kanë 2 pikë”, tha Kurti.
Sidoqoftë, kryetaret e komunave që kryesuan në vlerësimin e KDI-së, u shprehën të lumtur. Megjithatë, thanë që për qeverisjet lokale, situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
“Kjo tregon që jemi të përkushtuar të bashkëjetojmë më ta në punët dhe angazhimet. Sot ne jemi të atakuar shumë me çështjet financiare, me ngarkesat financiare që janë si rezultat i kontratës kolektive dhe çështje të tjera që janë shndërruar në një barrë të rëndë, madje të papërballueshme të komunave dhe se viti 2024 dhe 2025 janë një lloj viti garues se si të jenë vitet më të këqija të komunave”, tha Agim Aliu, kryetar i Ferizajt.
“E marrim për të mirëqenë një raport të tillë analitik në 48 indikator, por mbetet detyrë e përkushtim i yni i përbashkët që këto rezultate të jenë të qëndrueshme. Po e theksoj vetëm një çështje, të gjitha komunat e Kosovës kanë rrjete sociale dhe besoni ose jo për krejt këto rrjete sociale kurrkush nuk ka një normë që e rregullon këtë standard”, tha Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit.
Me sfida të mëdha po përballen edhe zyrtarë komunalë për komunikim me publikun.
“Mirëpo, sfidat e zyrtarëve të komunikimit me publikun kaë qenë jashtëzakonisht të mëdha gjatë viteve 2022-2023-2024, për shkak se ueb-faqet zyrtare ku bëhet edhe matja kryesore, kanë qenë jashtëzakonisht të vështira për t’u qasur, për t’u publikuar dhe për të marrë informata për to”, tha Bekim Dobra, zëdhënës i komunës së Drenasit.
Raporti i Instituti Demokratik, që ndryshe njihet si “Transparometri Komunal”, synon ta rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtat e tyre për qasje në informacion, mbikëqyrjen e autoriteteve komunale dhe të inkurajojë pjesëmarrjen në vendimmarrje.