Përgatiti: Sara Shehu
Ndonëse stacioni i autobusëve është një prej zonave më të frekuentuara në kryeqytet, hapësirat e gjelbra nuk po mirëmbahen gjatë sezonit pranveror.
Drejtues të Ndërmarrjes Lokale Publike “Gjelbër”, të cilës para një muaji i kaloi në përkujdesje edhe kjo pjesë e Prishtinës, arsyetohen me mungesë të punëtorëve.
“Nuk i mirëmbajmë për çdo ditë, për shkak se kemi më shumë punë nëpër hapësira gjelbëruese nëpër kryeqytet, andaj ato pasi janë në qendër po i mirëmbajmë më shumë, kemi një numër të vogël të stafit, që është edhe problem. Ndërkaq, ne kemi marrë përsipër ta mirëmbajmë stacionin një muaj më parë”, tha Andi Belegu, sekretar i Ndërmarrjes “Gjelbër”.
Deri më tani, këto hapësira janë mirëmbajtur vetëm nga dy punëtorë të stafit të Shërbimit Teknik të Ndërmarrjes së Stacionit të Autobusëve.
Përpos hapësirave të gjelbra, të pakalueshme për shkak të infrastrukturës së dobët, janë edhe shkallët që dërgojnë te stacioni i autobusëve, të cilat frekuentohen në masë të madhe nga qytetarët.
“Është shumë e rrezikshme, fakti se këtu mund të ketë gjarpërinj dhe më shumë kalojnë edhe të rinjtë, andaj do të duhej që komuna t’i mirëmbajë këto pjesë edhe shkallët të rregullohen”, thotë një qytetar.
“Kjo gjendje është shumë e keqe, pasi që do të duhej të kishte mirëmbajtje, kështu rrezikohemi të gjithë kalimtarët e kësaj pjese”, thotë një tjetër qytetar.
Për këtë gjendje të shkallëve, ATV-ja ka kontaktuar Drejtorin e Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Bestrovci, i cili tha se në koordinim me Drejtorinë e Transformimit Urban, kanë në plan që së shpejti t’i rregullojnë ato.