Arrestohet gruaja në Gjilan, dyshohet se gënjeu se u dhunua

Përgatiti: Kastriot Tahiri

Një grua në Gjilan është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, për shkak se dyshohet se bëri kallëzim të rremë në polici, duke e bërë veten dhe të birin e saj, viktima të tri veprave penale.

Të shtunën e kaluar, ajo raportoi në polici se u grabit e u dhunua seksualisht nga dy persona, në rrugën “Skifter Arifi”, afër varrezave të Gjilanit. Ndërsa, për djalin e vet 17 vjeç, tha se është rrahur po nga ata persona të maskuar.

“Prokuroria Themelore në Gjilan ju njofton se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Gjilan, pas hetimeve intensive, ka ndaluar të dyshuarën N.R., për shkak të veprës penale ‘Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Prokurorisë dhe policisë rajonale të Gjilanit iu deshën 5 ditë që ta zbulojnë këtë. Në bazë të provave që kanë siguruar nga hetimet, ato thanë se bëhet fjalë për inskenim.

“Bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe ajo ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici”, thuhet më tej në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Por, në përgjigjen e Prokurorisë nuk përmenden plagët e gruas e as gjendja e të birit, të treguara në raportin fillestar të Spitalit të Gjilanit.

Drejtori i spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, i tha të dielën ATV-së, se gruaja kishte pasur gërvishtje dhe gjakderdhje. Por televizioni mëson se më 25 maj, ekzaminimi gjinekologjik në QKUK nuk qe i mundur për shkak të gjakderdhjes.

Një ekzaminim i tillë u bë tek pas 3 dite, më 29 maj, e që rezultoi se gjakderdhja përkon me gjakun menstrual dhe se nuk ka pasur shenja dhunimi.

I pyetur gjatë të enjtes nga ATV-ja, Drejtori i Spitalit, përmes telefonit pa dhënë detaje, tha se e dyshuara në emergjencë ka ardhur me ato plagë, që janë shkruar në raportin mjekësor, të cilin e posedon edhe policia.

Ngjarja që tash po cilësohet si kallëzim i rremë, u raportua se kishte ndodhur në një rrugë, që është vetëm 1.5 kilometra larg qendrës së Gjilanit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA