Qeveria e Kosovës kohë më parë ka ndarë 600 mijë euro për projektin “Sistemi i monitorimit elektronik” për vitin 2023 që nënkupton blerjen e byzylykëve elektronikë dhe nisjen e zbatimit të Ligjit për mbikëqyrje elektronike për personat, të cilëve iu kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës. Mirëpo, kjo shumë konsiderohet e pamjafuteshme. Ligji për mbikëqyrjen elektronike ka hyrë në fuqi 8 vjet më pare, por ka munguar zbatimi i tij në mungesë të hallkave elektronike, softuerit, dhomës operative dhe trajnimit të stafit.
Hulumtuesja e Lëvizjës Fol, Albana Hasani konsideron se shuma financiare e ndarë për sistemin e monitorimit elektronik është e pamjaftueshme. Sipas saj, për funksionimin efikas të këtij programi nevojitet edhe mirëmbajtja e softuerit i cili po ashtu ka kosto.
“Për shkak se vendimi nuk ka ndonjë arsyetim të qartë juridik nuk vërehet se këto mjete a do të shfrytëzohen për blerjen e softuerit elektronik për mbikqyrje elektronike apo për blerjen e byzylykëve elektronikë. Mirëpo, duke marrë parasysh vlerën e lartë të byzylykëve elektronikë si dhe numrin e madh të tyre që do të duhej të viheshin ne dispozicion si dhe anën tjetër vlerën e lartë të softuerit elektronik do të mund të themi se kostoja prej 600 mijë eurosh është tejet e ulët për të përmbushur në mënyrë te suksesshme projektin për mbikëqyrje elektronike”, thotë ajo.
Të njëjtin mendim e ka edhe Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). Ajo vë theksin te trajnimi i stafit si dhe angazhimi i ekspertëve shtesë të specializuar që do të ndihmonin në zbatimin në praktik të ligjit.
Hasani, nga Lëvizja Fol thotë se zbatimit i Ligjit për mbikëqyrje elektronike paraqet domosdoshmëri për mbrojtjen e viktimave të krimit në përgjithësi, por në veçanti ata të dhunës në familje.
Edhe për Halitin është e rëndësishme që sa më shpejtë të nisë zbatimi i këtij ligji për t’i mbrojtur sidomos viktimat e dhunës në familje.
Ndërsa, Policia e Kosovës sipas Ligjit për mbikëqyrje elektronike, do të ketë nën menaxhim edhe sallën operative, e cila realizon mbikëqyrjen elektronike për mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e të dhënave që vijnë nga pajisja dhe që mundëson kontrollin e zbatimit efektiv të vendimit gjyqësor.
Nga ky institucion i sigurisë në vend thonë se pas ndarjes së 600 mijë eurove për këtë projekt do të marrim të gjitha masat e nevojshme. Sipas ligjit, Policia e Kosovës është përgjegjëse për vendosjen, heqjen dhe funksionimin e pajisjeve që u vendosen me vendim të gjykatës personave që iu kufizohet lëvizja.
“Pas ndarjes së mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës për projektin “Sistemi i monitorimit elektronik” bazuar në Ligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, Policia e Kosovës sipas autorizimeve dhe kompetencës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për këtë projekt dhe implementimin e tij, sipas udhëzimit administrativ për realizimin e mbikëqyrjes elektronike dhe raportimi nga Policia e Kosovës, të personave të cilëve iu kufizohet lëvizja”, thuhet në shkresën e Policisë së Kosovës dërguar për KosovaPress.
Ndryshe, Ligji për mbikëqyrje elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ka hyrë në fuqi në vitin 2015. /kp