Përgatiti: Arton Hamiti
Memorandumi i mirëkuptimit, për projektin e ri të Ambasadës Britanike, i cili ka për qëllim luftimin e krimit dhe korrupsionit është nënshkruar këtë të enjte.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj, e vlerësoi të rëndësishëm projektin, duke shtuar se ky bashkëpunim do t’i forcojë kapacitetet për t’i hetuar veprat më komplekse.
“Jam shumë besimplotë që ky bashkëpunim do t’i forcojë kapacitetet e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, për t’i hetuar veprat komplekse që konsiderohen të rëndësishme për përfshirjen në ekipe të përbashkëta të hetimit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira”, tha Hajdaraj.
Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, tha se përmes memorandumit, synohet të luftohet edhe shpëlarja e parave.
“E dimë që krimi shkatërron jetë, krimi i organizuar dëmton dhe kërcënon sigurinë kombëtare, gjithashtu korrupsioni që shohim në shumë vende të botës. Ne gjithë e dimë që rrjeti kriminal është shpesh i fshehur duke përdorur teknologji moderne, dhe kjo është arsyeja që jemi shumë krenarë të mbështesim këtë bashkëpunim, që do të ketë rezultate dhe besimin e të gjithë neve së bashku me liderët politikë, për ta luftuar këtë fenomen”, tha Hargreaves.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shprehur optimist se objektivat e projektit do të arrihen me sukses.
“Fillimi i projektit për mbështetje të krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore kundër financave të paligjshme dhe krimit të organizuar në Kosovë, shënon vazhdimin e bashkëpunimit të dëshmuar e në pritje reale për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve tona, që mundësojnë sundimin e ligjit. Ne jemi optimistë se objektivat e projektit do të arrihen me sukses. Ja ku jemi sot këtu për të shënuar një fillim të ri, një projekt me ambicie të mëdha, i cili nga këndvështrimi ynë vendos edhe pritje, të cilat do të fuqizojnë edhe më tej infrastrukturën ligjore dhe rrjedhimisht dhe kapacitetet profesionale për zbatimin e mandatit ligjor”, tha Isufaj.
Në ceremoninë e nënshkrimit, i pranishëm ishte edhe drejtori i Policisë. Gazmend Hoxha theksoi se memorandumi ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të Policisë në fushën e inteligjencës dhe ndihmesën në krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të luftimit efikas të krimit të organizuar.






