Përgatiti: Benita Zeneli
Në tentimin e radhës, të enjten, Kuvendi arriti ta miratojë marrëveshjen me Danimarkën për burgjet.
Bazuar në këtë marrëveshje, Danimarka do të marrë me qira 300 qeli, në burgun e Gjilanit, ndërsa të burgosurit pasi ta vuajnë dënimin, do të dëbohen nga Kosova.
Mirëpo, përveç kësaj marrëveshjeje, deputetët e pushtetit dhe të opozitës, dhanë votën e tyre PRO edhe për disa marrëveshje të tjera ndërkombëtare.
Me 93 vota për, u miratua Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami, në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.
Por pa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, është miratuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.
“Për mua ka shumë rëndësi se në bazë të cilave kritere do të bëhet përzgjedhja e familjeve, në çfarë mënyre do të operohet me komunat të cilat do të jenë bartëse, qoftë të procesit të ndërtimit në situata të caktuara, ose edhe menaxhimit të stokut të këtyre banesave”, tha deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.
“Ministri doli na ngatërroi me atë që edhe shërbyesit civilë do të përfitojnë prej kësaj. Por, këtu në projekt nuk shkruan për atë. Janë familjet me asistencë sociale dhe familjet me të ardhura të ulëta nën mesatare. Ti nuk e gjen një shërbyes civil që ka të ardhura në mesatare. Të bëhemi serioz kur i diskutojmë këto gjëra që janë të rëndësishme për plot familje”, tha deputeti i LDK-së, Abdullah Hoti.
Gjithashtu, në këtë seancë u miratuan edhe disa prej marrëveshjeve që të enjten e kaluar nuk morën dritën e gjelbër.
Marrëveshja e bashkëfinancimit për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren kaloi me 82 vota për.
Është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e amendamentit numër 2 të marrëveshjes financiare, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2016.
Mirëpo, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është shtyrë sërish.
Deputetët nuk e kanë miratuar amendamentin e deputetit Visar Korenica, ku pati kërkuar të largohen pjesët që parashihnin se e drejta për riprodhim u takon edhe individëve, përveç çifteve të martuara (burrit dhe gruas).
Shumica e votave në Kuvend për këtë amendament ishin në abstenim.






