Përgatiti: Fatlum Jashari
Në adresimin e parë nga mbledhja e Qeverisë, pas dështimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kryeministri Albin Kurti cak i pati institucionet e drejtësisë.
Arratisja e Enver Sekiraqës u bë shkak që kryeministri të mos i përmbahet zotimit në letrën e 22 Marsit, se do të respektojë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit dhe se do të përmbahet nga kritikat.
“Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor, që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia”, tha Kurti.
Këshilli i Evropës dhe çështjet aktuale politike nuk u përmendën në fjalimin e kreut të Qeverisë.
Pa komentuar rastin e Sekiraqës, në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se deklarata e kryeministrit përbën sulm ndaj pushtetit gjyqësor.
“[Sistemi i drejtësisë] ka vetë mekanizmat e saj, të cilët mund të kërkojnë llogari nga gjyqtarët dhe prokurorët, siç janë KGJK dhe KPK. Jo qeveria, e as legjislativi. Për shkak se këto të fundit mund, që përmes hartimit të politikave, të bëjnë ndryshimet për të mirë apo në një mënyrë të kryejnë edhe vetingun, i cili tashmë është proces i dështuar”, tha Lavdim Makshana, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Pasi iu referua letër-zotimit të kryeministrit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe vërejtjeve nga raportet ndërkombëtare, juristi Valdet Hoxha vlerësoi se komentet e tilla nuk i përkasin pushtetit ekzekutiv.
“Për çdo rast individual mund të ketë dyshime nëse gjithçka është ndërmarrë në pajtim me kodin e procedurës, por ato duhet të verifikohen dhe të ketë një epilog të qartë dhe ligjor. Por, është e papranueshme që të sulmohet në tërësi sistemi i drejtësisë nga Qeveria apo kryeministri, sepse kjo e dëmton rëndë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Pra, një pushtet siç është gjyqësori është i cenueshëm karshi një qeverie që ka një shumicë të cilësuar në parlament”, tha Hoxha.
Dhjetë muaj nga fundi zyrtar i mandatit, Qeveria ende nuk ka përmbushur zotimin programor për veting në sistemin e drejtësisë.