Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Opozita parlamentare vazhdon të ketë qasje të ndryshme sa i përket shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron favor ndaj kryeministrit Albin Kurti, votën pro shpërndarjes së Kuvendit, si hap i parë.
Deputetja e këtij subjekti opozitar, Hykmete Bajrami, thotë se Kurti duhet të japë dorëheqje.
“Ne absolutisht që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja, po besoj që asnjë parti politike nuk është më e gatshme se Lidhja Demokratike e Kosovës…”, tha Bajrami.
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kritika për opozitën që, sipas tij, nuk kanë qëndrim të përbashkët për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje të reja.
Sipas tij, subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike, është më afër për këtë çështje me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.
“Tashmë kryeministri Kurti aktualisht është më i interesuar që të shkojë në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit, që është më e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës në këtë qëndrim…”, tha Ymeri.
Nisma Socialdemokrate aktualisht nuk është pjesë e Kuvendit, por synon pushtetin në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetari i së parës, Fatmir Limaj, konsideron se kryeministri Kurti nuk ka asnjë projekt të vetin, këtë mandat.
“Me atë që kam parë unë nuk ka asnjë gjë që ka lëvizur, përveç harnimit të projekteve të mbetura që dikur ata i kanë sharë”, tha Limaj.
Të hënën, kryeministri Kurti takoi në darkë krytarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me të cilin patën qëndrime të përafërta se duhet shpërndarë kuvendi, që të shkohet në zgjedhje. Një propozim të tillë, PDK mund ta bëjë në parlament, javën që po vjen.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: