Përgatiti: Fatlum Jashari
Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është hapi thelbësor që Kosova duhet ta ndërmarrë për të avancuar në rrugën drejt institucioneve europiane dhe euro-atlantike.
Këtë qëndrim e bëri të qartë Nënsekretarja për Diplomaci dhe Çështje Publike, Elizabeth Allen, pak minuta pasi me presidenten Vjosa Osmani nënshkruan një marrëveshje kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.
“Ne, po ashtu, folëm për çështjen kritike të rrugës së europiane dhe euro-atlantike të Kosovës. Ritheksova se mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve europiane dhe euro-atlantike kur gëzojmë bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë. E di që kjo çështje është e rëndësisë së madhe për ju presidente Osmani. Diskutuam hapin thelbësor të Kosovës në rrugën euro-atlantike, lëvizjen përpara për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, tha Allen.
Këtë temë nuk përmendi fare presidentja, e cila e vlerësoi të përjetshme aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“SHBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneriteti ynë me SHBA-të do të vazhdojë të jetë ekzistencial për çdo sukses të Kosovës’, tha Osmani.
Ajo u përqendrua te rëndësia e marrëveshjes, e cila i hap rrugë thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e informacionit.
“Fatkeqësisht, as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme, të cilat sa vijnë dhe shtohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon, nëpërmjet satelitit të saj – Serbisë. Kjo, jo vetëm që është shqetësuese, por edhe paraqet rrezik aktiv për destablizimin e rajonit tonë. Rusia, në këtë mënyrë, po përpiqet të shtrijë ndikim, duke targetuar sukseset dhe arritjet e angazhimit të përbashkët të popullit të Kosovës, me shtetet demokratike, në veçanti me SHBA-në”, tha Osmani.
Pasi theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj popullit të Kosovës si kurrë më parë, nënsekretarja Allen tha se siguria në Ballkanin Perëndimor është kyçe.
“Memorandumi sinjalizon angazhimin e SHBA-së dhe Kosovës për të zhvilluar një qasje të përbashkët, për të kuptuar më mirë dezinformimin nga jashtë dhe për të ndërtuar mekanizma të konsultuar për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve”, tha Allen.
Në takimin me kryeministrin Albin Kurti, zyrtarja e lartë amerikane theksoi se Kosova i përket BE-së dhe NATO-s, por përmendi nevojën për zbatim të plotë të marrëveshjeve të dialogut me Serbinë.
Në njoftimin e qeverisë thuhet se Kurti foli për rëndësinë që zbatimi të mos jetë i kushtëzua, ndërsa shprehu shqetësimin për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia.
Praprakisht, Allen vizitoi edhe kampin ushtarak amerikan “Nothing Hill” në Leposaviq, ndërsa e vëzhgoi veriun e vendit edhe nga qielli.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: