Përgatiti: Driton Sadiku
Thirrjen për regjistrim e kanë në hyrje të komunës. Por, më shumë se kësaj, serbët e Novobërdës iu bindën thirrjes së partisë që e udhëheq këtë komunë, Listës Serbe, për bojkot të procesit të regjistrimit.
Kur ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në mbyllje të afatit, fare pak qytetarë të këtij komuniteti janë regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë.
“Fatkeqësisht procesi nuk ka shkuar siç duhet, sepse komuniteti serb ka filluar ta bojkotojë këtë proces të regjistrimit të popullsisë dhe sipas shifrave që i kemi ne është një numër shumë i vogël i qytetarëve të regjistruar. Deri dje numri i qytetarëve që janë regjistruar është diku 3200, që është shifër jashtëzakonisht e vogël”, tha nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri.
Por ajo që s’u bë për 42 ditë, zor të bëhet në ditën e fundit, andaj shpresojnë në kohëzgjatje të afatit së paku për këtë komunë.
Si ndihmë për ta, komuna ka hapur edhe një zyrë brenda, ku qytetarët mund të regjistrohen.
“Duket që ka sinjale që nga dita e sotme do të nisë regjistrimi i popullsisë edhe te komuniteti serb, sipas disa informatave jozyrtare që i kam dhe ndoshta pritet edhe vazhdimi i afatit edhe për një javë pas datës 17 maj dhe ndoshta do të përfundojë siç duhet”, tha Ymeri.
Ndryshe, komuna e Novobërdës, sipas regjistrimit të 2011-tës, rezulton t’i ketë 6729 banorë.