PËRGATITI: ARTON HAMITI
Tri partitë opozitare kanë konfirmuar se kryeministri Albin Kurti i ka ftuar në një darkë pune për të hënën e 13 majit.
Qëllimi i takimit u tha se do të jetë koordinimi me opozitën për agjendën e Kuvendit për sesionin pranveror.
Pjesëmarrjen në takimin që është planifikuar të fillojë në orën 18:30, e ka konfirmuar Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.
Por vendim ndryshe mori kryetari i Lidhjes Demokratike. Lumir Abdixhiku e refuzoi takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti, duke e cilësuar si ftesë të vonuar.
Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë ditës konfirmoi se ky subjekt po e shqyrton pjesëmarrjen ose jo në takim.
Sigurimi i votave për ta votuar Kodin Civil, vlerësohet se mund të jetë njëra nga arsyet që kryeministri Kurti vendosi t’i takoj kundërshtarët politikë.
“Mendoj që është një ftesë e pasinqertë por shpresoj se partitë opozitare do t’i përgjigjen pozitivisht. Natyrisht se do te ketë tema të tjera që do të fliten por edhe sigurimi i votave për kalimin e Kodit Civil do të jetë përpjekje e pashmangshme e Kurtit.”, tha Fidan Ukaj, politolog.
Teksa Projektligjin për Kodin Civil dhe ai për shëndet riprodhues kanë mbetur pa u votuar që nga viti i kaluar, prej muajsh Kuvendi ka dështuar që t’i ratifikojë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, vlera e të cilave aktualisht është mbi 300 milionë euro.
Sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi, vetëm 34% e Agjendës Legjislative për vitin 2023 është përmbushur.
Sidoqoftë, tema për të cilën kryeministri Albin Kurti i ka ftuar krerët opozitarë në takim, për njohësin e çështjeve politike, Artan Muhaxhirin kjo është e pakuptimtë.
“Kosova ka probleme të shumta të natyrave të tjera. Duke e pasur si çështje të hapur anëtarësimin në Këshillin e Evropës, presionin e për formimin e Asociacionit dhe dialogun, të ftohet opozita për të folur për agjendë legjislative është ftesë jo e sinqertë e çuditshme dhe e pakuptimtë, por natyrisht qe në ketë takim do të flitet edhe për çështjen e zgjedhjeve sepse duket se do të jenë të pashmangshme.”, deklaroi Muhaxhiri.
Në darkën e përbashkët të së hënës, siç është cilësuar nga ekzekutivi, përveç krerëve opozitarë janë ftuar edhe shefat e grupeve parlamentare të tri partive. /atvlive.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:






