Të paktën shtatë mësues u vranë sot nga të shtënat në një shkollë në veriperëndim të Pakistanit, thanë zyrtarët, pa specifikuar nëse ishte hakmarrje për vrasjen e një mësuesi më herët në zonë.
Të dy incidentet ndodhën në Parachinar, Kurram, jo shumë larg kufirit me Afganistanin, thanë zyrtarët, raportoi Reuters.
Autoritetet rajonale kanë dhënë raporte kontradiktore për motivin e vrasjeve.
Në një deklaratë nga zyra e kryetarit të provincës, thuhet se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje pronësore, ndërsa komisari rajonal tha se shkak duket të jetë antagonizmi sektar.
Mësuesi i vrarë në incidentin e parë ishte një mysliman sunit, ndërsa mësuesit e vrarë në sulmin e dytë në shkollë ishin myslimanë shiitë, tha komisioneri Saiful Islam për agjencinë britanike.
“Për momentin nuk dihet nëse incidenti i dytë ka qenë një reagim ndaj të parit”, tha ai dhe shtoi se është shtuar siguria në zonën ku tashmë ka tensione për shkak të dhunës sektare.