Përgatiti: Kastriot Tahiri
Liria që e gëzojnë sot, thonë se është meritë e dëshmorëve.
Gjithë këta njerëz u mblodhën të hënën në Shtëpinë e Kulturës në Viti, për ta përkujtuar Njazi Rexhepin, që ra dëshmor në betejën e Koshares, më 6 maj 1999.
Kontributi i tij në Brigadën 138, u vlerësua i pashoq.
“Para dëshmorëve të gjithë jemi të vegjël, vetëm liria është e madhe. Themelet e lirisë janë të forta e ato i bën të forta gjaku i dëshmorëve. Njazi Rexhepi vjen nga një familje atdhetare që janë shquar për mikpritje, në anën e Ana Moravës. Qysh si nxënës ai kishte mësuar për vuajtjet e shqiptarëve i kishte ndje ato nën lëkurë. I edukuar në frymën ai mori pjesë në demonstrata që organizoheshin në Ferizaj, Prishtinë e mbarë Kosovën. Dëshmori e kishte kuptuar herët se liria nuk jepet vullnetarisht por duhet kërkuar nga pushtuesi”, tha Lulzim Tafa, poet.
Një ish-epror i Rexhepit e kujton atë si ushtar të dalluar.
“Për neve që ishim pjesë, emocionet dallojnë sepse i kemi kujtimet e freskëta, operacioni në Koshare është shumë kompleks edhe në planifikimin ekzekutimin e formacionit, drejtuesit e të cilit ishin ushtarak me përvojë”, tha Fadil Hadergjonaj, komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Vëllai i dëshmorit thotë se e humbi një familjar në luftë, por Nijaziu u bë i gjithë Kosovës, me rënien e tij.
“Dëshmorët vdesin vetëm një herë e për së dyti mund të vdesin nëse i harrojmë e nuk i përkujtojmë”, tha Fahrush Rexhepi, vëllai i dëshmorit Njazi Rexhepi.
Luftëtar e trim, Njaziu u përshkrua edhe nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu.
“Shqiptarët kanë qëndruar falë nënave që kanë kënduar për trimat për djemtë e rinj e vajzat, që në momente të historisë kanë mbetur shembuj e fanarë orientimi. E kjo e sotmja është një kallëzim për një hero që ka qenë në mes heronjve, një njëri që nuk ka ndalë aspak nga djersa e gjaku i tij për ditën e sotme, bëhuni të fortë e krenarë për ju që e keni pasë një njeri të përkushtuar kaq shumë”, tha Sejdiu.
Luftimet në Betejën e Koshares u zhvilluan për 77 ditë me radhë, nga 9 prilli deri më 19 qershor 1999, në zonën kufitare të Kosovës me Shqipërinë.
Gjatë luftimeve u vranë 114 dhe u plagosën 423 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Beteja e Koshares, nisi në kuadër të operacionit “Shigjeta”, duke i hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.