Kampioni i pesëfishtë i Kosovës në boks, Valon Ahmeti, i cili bëri krenar gjithë shqiptarët me përformancën e tij të fundit në “Audi Dome”, do të ngjitet në ring me datën 27 maj ku synon fitoren e tretë në boksin profesionist.
Ka qenë vetë mitrovicasi që ka njoftuar për meçin e radhës në rrjetin e tij social “Facebook”.
“Ndeshja e radhës po afron. Të dashur miqtë e mi, me kënaqësi ju njoftoj për meçin e radhës i cili do të zhvillohet me datën 27 maj në Gersthofen. Edhe kësaj rradhe, do të luftoj me zemër për fitore”, ka shkruar Ahmeti në facebook.
Në një prononcim për ATV-në, boksieri shqiptar tha se është duke u përgaditur intensivisht për këtë meç, nga i cili pret vetëm fitore.
“Po kemi mësuar edhe datën e saktë, pra është më 27 maj në Gersthofen. Ndihem përfekt dhe mezi pres të ngjitem sërish në ring. Jam duke u përgatitur dy herë në ditë me trening profesional edhe do të luftoj me zemër që të triumfoj sërish në atë mbrëmje dhe ti bëj të gjithë shqiptarët krenar”, tha Ahmeti.
Ai tha se ende nuk di asgjë për kundërshtarin, por ditët në vazhdim do të mësojë shumëçka rreth tij.
Ahmeti thotë se pas këtij meçi, synimi i tij është që të ngritët deri tek titulli i Gjermanisë.
“Çdo ndeshje ka rendësin e emocionet e veta, për mua ky meç do të jetë i treti në boksin profesionist dhe shpresoj që të marrë edhe fitoren e radhës. Kështu dalëngadalë të ngritëm deri tek titulli i Gjermanisë”, tha ai.
Kujtojmë që Ahmeti ka qenë i pari që edhe hapi mbrëmjen e “shqiptarëve” në “Audi Dome” aty ku fitoi me KO duke rrëzuar kundërshtarin në raundin e katërt. /atvlive.tv