Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën janë dëgjuar disa audio-incizime si prova materiale ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi, i cili po akuzohet për korrupsion.
Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi ka konstatuar se në këtë seancë ka ndryshim të trupit gjykues, ashtu që në vend të gjykatëses Shpresa Hasaj-Hysen, ishte gjykatësja Sulltane Hoti duke u konsideruar të lexuara të gjitha veprimet procedurale të ndërmarra deri më tani me pajtimin e të gjitha palëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, lidhur me dëgjimin e audio-incizime, prokurorja e shtetit Merrushe Llugiqi ka deklaruar se mbetet pranë propozimit që CD të administrohet si provë dhe të bëhet dëgjimi i plotë i tyre, pasi që sipas saj të njëjtat nuk janë propozuar të ndara dhe çdo ndarje e tyre nuk do të ishte në interes të drejtësisë.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Latifi, avokati Driton Musliu ka thënë se video-incizimi dhe audio-incizimi të cilat përfshijnë Arben Bilallin dhe Elhami Hazirin nuk mund të procedohen si prova kundër Luan Latifit pasi që sipas tij, ato biseda i ka bërë Arben Bilalli, e që në bazë të parimit që ishte refuzuar dëgjimi i Bilallit edhe këto prova në bazë të nenit 119 nenit 253 dhe 257 duhet të përjashtohen nga ky gjykim.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari ka thënë se për shkak se Arben Bilalli dhe Luan Latifi janë akuzuar nga Prokuroria se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje. atëherë padrejtësisht është veçuar procedura ashtu që sipas tij tani e tutje të gjitha provat që janë nxjerrë lidhur me këtë çështje duhet të shqyrtohen këtu në gjykatë ngase kanë ndërlidhje të ngushtë të gjitha bisedat mes vete dhe se çdo veprim i Luan Latifit është i ndërlidhur me cilindo veprim të Arben Bilallit.
“Pra, veprimet e Arben Bilallit dhe Luan Latifit janë të ndërlidhura në mes veti sikurse mishi me kockën, janë të ngjitura mes veti dhe se në cilëndo bisedë inkriminuese Luan Latifi dhe Arben Latifi janë kryefjala dhe kallëzuesi i çdo fjalie”, tha Rudari.
Pas kësaj, trupi gjykues ka aprovuar propozimin e prokurores së shtetit që të administrohen si provë audio-incizimet, duke vazhduar me dëgjimin e audio-incizimit të parë.
Pas dëgjimit të audio-incizimit të parë, prokurorja Llugiqi ka thënë se në këtë pjesë të bisedës të zhvilluar në mes të Arben Bilallit dhe Elhamiut, Enverit dhe Ymerit të cilët kanë pasur një takim në zyre të Arbenit kuptojmë se Elhamiu, e kishte pasur të realizuar një takim me të pandehurin Luan Latifi dhe pas atij takimi e kishte kuptuar dhe kishte ngritur dyshimet e tij që këta persona po kërkojnë diçka prej tij për të kryer punë.
Ndërkaq, pas dëgjimit të audio-incizimi të dytë, prokurorja Llugiqi sqaroi se ajo bisedë ishte zhvilluar në mes të Elhamiut dhe Luanit në takimin e 24 qershorit 2021 në një restaurant në Gjilan duke cituar disa fjali që janë dëgjuar në këtë incizim.
Më pas, seanca është ndërprerë për shkak të pauzës duke vazhduar përsëri në sesionin e pasdites ku fillimisht gjykatësi Ajvazi ka udhëzuar prokuroren që të dëgjohen vetëm minutat ku ajo konsideron se janë inkriminuese për të akuzuarin.
Ndërsa, avokati Musliu ka dhënë vërejtjet e tij sa i përket transkriptimit të video-incizimet nga prokurorja e shtetit duke propozuar që të dëgjohet edhe një herë një paragraf i cituar dhe të transkriptohet ashtu siç është.
Pas dëgjimit dhe leximit të transkriptim nga avokati Musliu, prokurorja Llugiqi është pajtuar më vërejtjet e avokatit dhe deklarimin e tij.
Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e audio-incizimit të tretë, për të cilin prokurorja deklaroi se ai është një takim i 25 qershorit 2021 i bërë në zyrat e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), ku takohet i pandehuri Arben Bilalli zyrtar, me të dëmtuarit Elhami Haziri dhe Enver Berisha, duke cituar disa fjali nga ky incizim.
Lidhur me këtë, i akuzuari Latifi tha se nuk ndihet përgjegjës për asnjë sekondë dhe nuk është përgjegjës për atë se çfarë ka folur Arbeni me Elhamin, duke shtuar se përgjegjësit janë individuale dhe nuk mund të marrë përsipër gjërat e tyre personale një palë e tretë.
Më pas, është dëgjuar edhe audio-incizimi i katërt, për të cilin po ashtu prokurorja Llugiqi tha se edhe kjo është një bisedë e 25 qershorit 2021 e cila ishte bërë në mes të pandehurit Arben Bilallit me të dëmtuarin Elhami Haziri dhe Enver Berisha në zyre të KPM-së, duke cituar disa fjali nga ky incizim për të cilën avokati Musliu pati vërejtje me arsyetimin se sërish këto prova janë biseda në mes të Arbenit dhe Elhamis dhe sërish në bazë të nenit 119,253,256 dhe 257 nuk kanë mundësi të sfidohen me këto prova nga personi i cili ka thënë ato.
Meqenëse ishte përfundimi i orarit të punës në gjykatë, seanca është ndërprerë ndërsa e radhës u caktua të mbahet më 4 korrik 2023.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve Luan Latifi dhe Arben Bilalli, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.
Ndërsa, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Latifi, avokatit Driton Musliu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj të akuzuarit Latifi dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.
Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 17 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Latifi dhe më pas më 23 dhjetor 2021, Apeli ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.
Në seancën e mbajtur më 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.
Për të akuzuarin Arben Bilalli, ish-drejtorin e Administratës të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), gjykata ka shqiptuar dënim prej 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.
Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.
Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Telkos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.
Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke iu thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.
Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.
Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.
Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.
Për këto veprime, dy të akuzuarit thuhet se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.