Përgatiti: Fatlum Jashari
Një rund i ri bisedimesh në nivel kryenegociatorësh, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel, me temë kryesore rregulloren e BQK-së për pagesa me para të gatshme është në agjendë këtë javë.
Gjetja e një zgjidhjeje të përkohshme për, siç u shpreh, “njerëzit e prekur nga vendimi”, është shpresa e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajcak.
“Pres që të dyja palët të vijnë në takim me mendje të hapur, fleksibilitet dhe qasje për të gjetur zgjidhje, bazuar në idetë e propozuara gjatë takimeve të kaluara”, tha Lajcak.
Nuk ka informacione zyrtare, nëse te çështjet e tjera do të diskutohet vendimi i Listës Serbe për bojkotimin e votimeve të 21 Prillit, për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në veri.
Pavarësisht rezultatit, opinionisti Ognjen Gogic nuk pret lëvizje nga qëndrimi.
“Edhe nëse kryenegociatorët arrijnë ndonjë lloj marrëveshje lidhur me çështjen e pagesave, nuk do të mjaftonte që Lista Serbe të ndërrojë qëndrimin lidhur me votimin për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore. Vendimi për bojkotin ka të bëjë më shumë me kushtet e votimit sesa me çështjet e tjera politike”, tha Gogic.
Bojkotin, sipas tij, Lista Serbe po e përdor vetëm si mbulesë.
“Lista Serbe është e shqetësuar që referendumi nuk do të ketë sukses. Në fakt, ata mendojnë nuk do të dalin mjaftueshëm votues për t’i shkarkuar kryetarët, prandaj ata mendojnë se është më mirë që, paraprakisht, të thërrasin për bojkotim të referendumit, sesa të marrin pjesë duke e ditur se do të dështojnë. Lista Serbe është e shqetësuar se regjistri i votuesve është i fryrë dhe që përmban më shumë votues të regjistruar sesa njerëz që jetojnë në komunat veriore. Dhe, e dinë që serbët janë shumë të hidhëruar me të dyja, Prishtinën, por edhe me Listën Serbe, kështu që do të ishte vështirë të mobilizohen”, tha Gogic.
Teksa vuri në pah se nuk mund të ketë ndërlidhje mes dinarit dhe bojkotit, Fitim Mulolli nga POLCON vlerësoi se përsëritja e skenarit të 23 Prillit 2023, për Listën Serbe, do të ishte humbje e arsyes dhe e argumentit kundër kryetarëve.
“Një mundësi e patën kur janë mbajtur zgjedhjet, tani iu dha një rast që e kanë kërkuar tash e sa kohë dhe nëse e shfrytëzojnë edhe Qeveria e Kosovës do të jetë legjitime në mbështetjen që kryetarët të vazhdojnë punën e tyre. Në anën tjetër, prapë në qoftë se vendosin të bojkotojnë këtë proces, automatikisht është edhe një dëshmi që Serbia tenton ta prolongojë, pra ta shtyjë dialogun, sa më shumë që është e mundur, sepse është në favor të saj”, tha Mulolli.
Të dielën, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok do të mbahen votime për shkarkimin e kryetarëve, të cilët morën drejtimin e këtyre komunave me numër të ulët votash në zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe.





